Arritja historike e Vllaznisë së femrave, Duka: Ju na treguat se duhet të bëjmë më shumë

schedule18:55 - 28 Shtator, 2022

schedule 18:55 - 28 Shtator, 2022

Vllaznia e femrave ka shkruar historinë në futbollin shqiptarë, duke arritur për herë të parë grupet e Ligës së Kampioneve.

Me anë të një fitore dramatike në “Loro Boriçi” përballë Vorsklas, vajzat shkodrane arrijnë kështu për herë të parë grupet e Ligës së Kampioneve.

Ishin Paterson dhe Berisha të cilat gjetën rrugën e rrjetës për vajzat kuqeblu, për të arritur te këtë fitore historike.

Vllaznia 2-1 Vorskla

Paterson 35′, Berisha 88′ / Korsun 85′.

Pas kësaj arritje historike, ka reaguar dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili i shprehu urimet e tij klubit shkodran.

Armand Duka president i FSHF

“Futbolli është i bukur se na dhuron emocione të ndryshme ditë pas dite.

Jam i lumtur për vajzat e ekipit të Vllaznisë që sot na dhanë leksion sesi të fitojmë. Sot Vllaznia e vajzave ka shkruar historinë me fitoren kundër ekipit ukrainas të Vorskla Kharkiv dhe tashmë do të marrë pjesë në grupe të Champions League për herë të parë.

Urimet e mia më të sinqerta për vajzat e Vllaznisë, stafin drejtues dhe Presidentin Lazër Matija. Urime për punën e përditshme me vullnet, pasion e përkushtim për të qenë krenaria e qytetit tuaj të mrekullueshëm Shkodrës, por edhe Shqipërisë.

Në FShF kemi bërë një punë të jashtëzakonshme për mbështetjen e futbollit të vajzave, por ju, na treguat me punën tuaj, se duhet të bëjmë më shumë.

E tani, të jemi gati të shohim vajzat tona të Vllaznisë të shkruajnë historinë e të na përfaqësojnë denjësisht në Europë.

Urime Vllaznia. Urime vajza”, shkruan Duka.

Në lidhje me fitoren e Vllaznisë, skuadra mori urime dhe nga Anila Basha, anëtare Komitetit Ekzekutiv në FSHF.

“Kjo lojë po bëhet shumë e fortë. Atë që s’e bënë dot djemtë, vajzat e arritën më së miri. Tani, vajzat e Vllaznisë në Europë, janë një realitet që do ta shijojmë të gjithë. Më së pari vetë futbollistet tona të talentuara, qyteti i Shkodrës që ato përfaqësojnë me zemër, dhe gjithë Shqipëria.

Vajzat e Vllaznisë mundën sot në “Loro Boriçi” ukrainaset e Vorskla Kharkiv me rezultatin 2 me 1 dhe ky rezultat i çon për herë të parë në grupet e Ligës së Kampioneve.

Në emrin tim personal, si kryetare e komisionit të Futbollit të Vajzave në Shqipëri, shpreh mirënjohjen për punën e palodhur të vetë vajzave futbolliste dhe stafit që i trajnon me përkushtim ditë pas dite.

Shpresoj dhe besoj për një përfaqësim sa më dinjitoz në kompeticionin evropian, për të ngritur lart, emrin e Vllaznisë, Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë. Ndihma e pakursyer e Federatës Shqiptare të Futbollit nuk do të mungojë.

#GoGirls #Vllazniakrenariajone. /G.D abcnews.al/