Mediat në Kosovë: Arrihet marrëveshja, si i ndanë ministritë VV dhe LDK

schedule14:16 - 12 Dhjetor, 2019

schedule 14:16 - 12 Dhjetor, 2019

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, pas një procesi të gjatë bisedimesh, janë marrë vesh për mënyrën sipas së cilës do t’i ndajnë ministritë në koalicionin e ardhshëm qeveritar.

Dy partitë që nga zgjedhjet e 6 tetorit dolën fituese dhe që paraprakisht, në një proces shumë më të shpejtë e me më pak telashe qenë marrë vesh për programin, kanë arritur që t’i ndajnë edhe pozitat qeverisëse.

Megjithëse, pas dështimit të takimeve të fundit, në media kishte dalë lajmi se heshtat mes VV dhe LDK ishin thyer në kërkesat e kësaj të fundit për postin e presidentit dhe Ministrinë e Brendshme, të dyja janë akomoduar brenda dakordësimit.

“Klan Kosova” raporton se Ministria e Financave, Ministria e Jashtme, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor dhe ajo e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, i takojnë Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërsa, Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë do të drejtohen nga ministra të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Siç ka ndodhur zakonisht në marrëveshjet për bërjen e qeverive në Kosovë, Ministria e Kthimit i takon minoritetit serb, ndërsa habitshëm – edhe sepse LDK e kishte udhëhequr dikur këtë ministri, edhe për faktin se VV-ja e ka pasur pjesë të narrativit të saj politik gjatë kohë – është vendosur që Ministria e Kulturës t’i takojë minoriteteve tjera.

Dakordësimi mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës është arritur edhe për postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, që do t’i takojë Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila atë do t’ia besojë Vjosa Osmanit.

Dhe, megjithëse ishte çështja më e diskutuar dhe një prej arsyeve që herë njëra e herë tjetra palë paralajmëronte se mund ta prishte krejt marrëveshjen, për postin e presidentit të dy partitë janë marrë vesh që të merren vesh pas një viti.

Kjo marrëveshje i çel rrugë finalizimit të bashkëpunimit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës në qeverinë e ardhshme, si dhe lehtëson seancën konstitutive të Kuvendit të Kosovës, e thirrur nga presidenti Hashim Thaçi më 24 dhjetor të këtij viti.

*Sqarim për lexuesit: ministritë janë emëruar sipas atyre ekzistuese, ndërsa në koalicionin e ardhshëm, meqë janë disa ministri të bashkuara në një, emri i tyre do të ndryshojë

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!