Arrihet marrëveshja e gjelbër europiane, BE vendos të ulë konsumin e energjisë me 11.7 % deri në 2030

schedule14:22 - 10 Mars, 2023

schedule 14:22 - 10 Mars, 2023

Komisioni europian mirëpriti marrëveshjen e përkohshme të arritur me Parlamentin Europian dhe Këshillin për të reformuar dhe forcuar direktivën e BE-së për Efiçiencën e Energjisë.

Marrëveshja përcakton një objektiv të BE-së për efiçencën e energjisë prej 11.7% për vitin 2030, duke tejkaluar propozimin origjinal të Komisionit. Ajo kërkon që shtetet anëtare të BE-së të sigurojnë kolektivisht një reduktim shtesë të konsumit përfundimtar dhe primar të energjisë, krahasuar me parashikimet e konsumit të energjisë të bëra në vitin 2020.

Sipas marrëveshjes së përkohshme, detyrimi vjetor i kursimit të energjisë pothuajse dyfishohet për të siguruar përparim të vazhdueshëm. Vendeve të BE-së do t’u kërkohet të arrijnë çdo vit kursime të reja prej 1.49% të konsumit mesatar të energjisë, nga viti 2024 deri në vitin 2030, nga niveli aktual prej 0.8%. Ato gradualisht do të duhet të arrijnë në 1.9% deri në fund të vitit 2030. Ky është një instrument i rëndësishëm për të nxitur kursimet e energjisë në sektorët e ndërtimit, industrisë dhe transportit.

Rregullat e rishikuara gjithashtu i japin një përgjegjësi më të madhe sektorit publik për të rritur efiçencën e energjisë. Organet publike do të duhet të marrin parasysh në mënyrë sistematike kërkesat e efikasitetit të energjisë në prokurimin e tyre publik të produkteve, shërbimeve, ndërtesave dhe punimeve. Një objektiv i ri vjetor i reduktimit të konsumit të energjisë prej 1.9% është prezantuar dhe për sektorin publik. Detyrimi i vendeve të BE-së për të rinovuar çdo vit të paktën 3% të sipërfaqes totale të katit të ndërtesave në pronësi të administratës publike tani mbulon edhe nivelet rajonale dhe lokale.

Kompanitë do të inkurajohen që të jenë më efikase në reduktimin e konsumit të energjisë sipas Direktivës së rishikuar. Së pari, sistemet e menaxhimit të energjisë do të bëhen një detyrim i paracaktuar për konsumatorët e mëdhenj të energjisë. Të gjitha ndërmarrjet, do të duhet të zbatojnë një sistem të menaxhimit të energjisë. Përndryshe, ata do t’i nënshtrohen një auditimi energjetik. Për herë të parë u  prezantua edhe një skemë raportimi për performancën energjetike të qendrave të mëdha të të dhënave.

Sipas rregullave të dakorduara, vendet e BE-së do të duhet gjithashtu të promovojnë planet lokale të ngrohjes dhe ftohjes në bashkitë e mëdha me popullsi mbi 45 mijë. Gjithashtu, me përkufizimin e rishikuar të ngrohjes dhe ftohjes qendrore efikase, kërkesat minimale do të ndryshohen gradualisht për të siguruar një furnizim me ngrohje dhe ftohje qendrore plotësisht të dekarbonizuar deri në vitin 2050.

Marrëveshja forcon më tej dispozitat për financimin e efikasitetit të energjisë për të lehtësuar mobilizimin e investimeve. Sipas dispozitave të reja, vendeve të BE-së do t’u kërkohet të promovojnë skema inovative financimi dhe produkte të huadhënies së gjelbër për efiçencën e energjisë, duke siguruar ofertën e tyre të gjerë dhe jodiskriminuese nga institucionet financiare.

/abcnews.al