Policia e Devollit ka vënë në pranga tre persona, për të cilët thotë se kanë marrë me forcë nga banesa, për motive të dobëta, një 32-vjeçar, e kanë kërcënuar me jetë dhe ushtruar dhunë fizike ndaj tij.
Bëhet fjalë për Alti Nallbatin, vëllain e deputetit demokrat Bledion Nallbati, Marsel Bucin dhe Trajan Çelikun.
Nga hetimet dyshohet se këta persona kanë marrë me forcë nga banesa Ilir Topciun, banor i fshatit Braçanj në Bashkinë e Devollit, i cili ishte me masë sigurie “arrest në shtëpi” për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, dhe e kanë çuar në një biznes privat ku e kanë keqtrajtuar.
Policia dyshon se aktivitetet e paligjshme, si kontrabanda, kanë qenë shkak i konfliktit dhe pengmarrjes.
Mbi Alti Nallbatin, vëllain e deputetit demokrat Bledion Nallbati, dhe Trajan Çelikun, sipas policisë, rëndojnë veprat penale “heqje e paligjshme e lirisë” dhe “kanosje”, të kryera në bashkëpunim, ndërsa Marsel Buci, përveç dy veprave më lart, akuzohet edhe për “plagosje të lehtë me dashje”.
Njëri nga të arrestuarit, Trajan Çeliku, është një emër i njohur për policinë, pasi më 2 tetor të këtij viti u përfshi në një sherr, ku dhe mbeti i plagosur me thikë.
Më 3 maj të këtij viti, Alti Nallbati, së bashku me vëllain e tij deputet, u konfliktuan në Bilisht me një shofer kamioni, të cilin e dhunuan teksa po lëviznin me makinë gjatë fushatës elektorale.
Deputeti Nallbati u thirr në SPAK të hënën, më 27 tetor, për këtë ngjarje, e cila u kthye në objekt hetimi, pasi nga pamjet dukej deputeti dhe i vëllai që, në prezencë të policisë, u ngjitën në derën e kamionit për të goditur shoferin. Forcat e rendit ndaluan asokohe vëllain e deputetit, i cili më pas u la në masën “detyrim paraqitjeje”, ndërsa vetë Bledion Nallbati nuk u procedua.
/abcnews.al/

