Arrestohet për tradhti drejtuesi i agjencisë hapësinore, rrezikon 20 vite burg

schedule15:26 - 8 Korrik, 2020

schedule 15:26 - 8 Korrik, 2020

Ish gazetari Ivan Safronov është arrestuar. Lajmi është dhënë nga agjencia hapësinore ruse Roskosmos, ku Safronov është këshilltar i drejtorit të agjencisë. I akuzuar për tradhti dhe spiunazh për llogari të një vendi të NATO, ai tani rrezikon 20 vite burg, shkruan BBC.

Dhjetëra gazetarë u mblodhën përpara selisë së përgjithshme të shërbimeve sekrete ruse për të protestuar kundër arrestimit të Safronov, që konsiderohet si presioni i radhës ndaj lirisë së mediave. Të paktën tetë gazetarë të tjerë janë arrestuar në të njëjtën ditë.

Ish gazetari i të përditshmes ekonomike Kommersant e Vedomosti,  i specializuar në tema ushtarake dhe të mbrojtjes, nisi të punonte për Roskosmos në mes të muajit maj. Në vitin 2019 ai shkruajti për furnizimin rus me avionë ushtarakë në Egjipt, në një editorial në Kommersant. Drejtori i  kësaj të fundit u shpreh për BBC se arrestimi i ish gazetarit ishte absurd pasi Safronov është një patriot. Që atëherë ai u pyet nga shërbimet sekrete ruse, por përveç heqjes së shkrimit të tij nga faqja online e gazetës, nuk pati asnjë pasojë tjetër. Zëdhënësi i Kremlinit Dimitri Peskov, u shpreh për BBC se arrestimi nuk ka të bëjë me aktivitetin e tij të dikurshëm si gazetar.

Agjencia ruse e lajmeve Ria citoi një deklaratë të shërbimit sekret rus sipas së cilës Safronov ka mbledhur dhe transmetuar tek një vend i NATO informacione të rezervuara për bashkëpunimin tekniko – ushtarak, mbrojtjen dhe sigurinë e Federatës ruse. Babai i Safronov, një komentator i njohur ushtarak për Kommersant, ndërroi jetë pasi ra aksidentalisht nga kati i pestë i një pallati në Moskë në vitin 2007. Ai kishte hetuar mbi kërkesën për shitjen e armëve ruse në Siri dhe Iran./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!