Arrestohet organizatori i sulmeve ndaj KFOR-it në veri, lëndohen tre policë

schedule13:16 - 13 Qershor, 2023

schedule 13:16 - 13 Qershor, 2023

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se sot Policia e Kosovës ka arrestuar një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në veri, Milun Milenkovic- Llune.

Ministri Sveçla ka shkruar në Facebook se gjatë arrestimit të tij, janë sulmuar tre zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Sveçla ka shkruar po ashtu se: “Republika nuk do të zmbrapset”.

“Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkovic- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës. I njejti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan. Gjatë arrestimit të tij, janë sulmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës me ç’rast tre nga ta janë të lënduar lehtë”, shkruan ai.

Ai ka shkruar po ashtu se koha e bandave kriminale në veriun e vendit tonë ka përfunduar.

“Të gjithë individët apo grupet kriminale që kanë cënuar sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, do të përballen me drejtësinë. Republika nuk do të zmbrapset”, shkruan ai.  /Kosova Press

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!