Arrestohet një islamist i dyshuar për një sulm në Bavari

schedule18:51 - 13 Shtator, 2024

schedule 18:51 - 13 Shtator, 2024

Vrasja e sa më shumë ushtarëve të Bundeswehr-it me dy hanxharë gjatë pushimit të drekës, ky dyshohet se ishte plani i një 27-vjeçari në Bavarinë veriore. Por atë e arrestuan në kohë.

Zyra e prokurorit të Mynihut ka arrestuar një islamist të dyshuar për një sulm, që synonte ushtrinë gjermane. Siriani synonte të sulmonte ushtarët gjatë pushimit të tyre të drekës në qendër të qytetit Hof, në rrethin bavarez të Frankonisë së Epërme dhe të vriste sa më shumë prej tyre, thanë hetuesit. Për këtë, sipas informacioneve, ai kishte blerë tashmë dy hanxharë.

Autoritetet besojnë se 27-vjeçari është ndjekës i ideologjisë radikale islamike. Me sulmin e tij ai synonte të shkaktonte bujë dhe të shqetësonte popullatën.

Siriani i arrestuar të enjten në një vend të paspecifikuar pranë Hof-it dyshohet se “përgatiti një akt të rëndë dhune që kërcënonte shtetin”, sipas zyrës së prokurorit të përgjithshëm. Ai tashmë ndodhet në paraburgim pas vendimit të gjyqtarit kompetent hetues. Prezumimi i pafajësisë, megjithatë, zbatohet deri në një dënim përfundimtar. Nuk ka të pandehur të tjerë.

I dyshuari ka statusin e refugjatit

I dyshuari ka pasur statusin e refugjatit që nga viti 2015, siç ka raportuar Zyra e Landit Hof. Sipas këtij dokumenti, siriani kishte marrë me qira një apartament. “Sipas asaj që ne dimë aktualisht, sulmuesi tashmë ka kryer krime më parë dhe ka qenë i burgosur,” tha Oliver Bär (CSU), këshilltar rajonal i Hof-it. Ai përgëzoi autoritetet e sigurisë për parandalimin e një sulmi të planifikuar. Kryetarja e bashkisë së Hof-it, Eva Döhla (SPD) reagoi me shqetësim: “Nuk kemi përjetuar kurrë diçka të tillë në Hof – bashkëjetesa me më shumë se 48.000 njerëz nga 127 vende ka qenë gjithmonë paqësor. Ne do të bëjmë gjithçka për të siguruar që të jetë e njëjta gjë në të ardhmen.

Sulmet me thika në Gjermani

Gjermania po forcon kontrollet kufitare pas sulmeve të fundit vdekjeprurëse me thika, në të cilat të dyshuarit ishin azilkërkues. Shteti Islamik (IS) mori përgjegjësinë për një sulm me thikë që la të vdekur tre persona në qytetin perëndimor të Solingen-it në gusht. Javën e kaluar, një shtetas shqiptar 29-vjeçar u arrestua, pasi kërcënoi se do të vriste policët në qytetin Linz am Rhein, në jug të Bonit. Hetuesit thanë se në murin e shtëpisë së tij gjatë kontrollit u gjet i vizatuar një flamur i Shtetit Islamik.

Shqetësimet për imigracionin dhe sigurinë janë bërë çështje kyçe përpara zgjedhjeve në landin e Brandenburgut, ku partia populiste e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) ka rezultate të mira./DW/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!