Arrestohet në Tiranë vëllai i Markelian Cungut

schedule15:56 - 8 Shkurt, 2021

schedule 15:56 - 8 Shkurt, 2021

Policia e Tiranës ka arrestuar një 19-vjeçar, pasi akuzohet për “vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Abcnews.al mëson se në pranga ka rënë Kevin Cungu. Mësohet se i riu është vëllai i Markelian Cungut. Ky i fundit, është emër mjaft i njohur për policisë, pasi rezulton autor i disa grabitjeve.

Ndërkaq, Kevin Cungu, është autor i plagosjes së Rexhep Gjelit të ndodhur mbrëmjen e 11 shtatorit2020 në rrugën “5 Maji” në Tiranë.

Sipas policisë, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për një shtetas në kërkim me rrezikshmëri të lartë kriminale, shërbimet e Policisë kanë organizuar punën dhe falë veprimeve të shpejta dhe profesionale kanë bërë të mundur lokalizimin, kapjen e 19 vjeçarit, banues në Tiranë.

Lexo edhe: FOTO/ Ky është autori i plagosjes në Tiranë, vëllai i grabitësit serial që tmerroi çiftin Laze në Janar

Njoftimi i plotë:

Vijojnë operacionet për kapjen e personave në kërkim kombëtar.

Kapet dhe vihet në pranga një 19-vjeçar, i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 Tiranë, krahas angazhimit maksimal për monitorimin e zbatimit të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, vijojnë punën për goditjen e paligjshmërisë dhe për kapjen e personave në kërkim.

Në këtë kuadër, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për një shtetas në kërkim me rrezikshmëri të lartë kriminale, shërbimet e Policisë kanë organizuar punën dhe falë veprimeve të shpejta dhe profesionale kanë bërë të mundur lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e shtetasit K. C., 19 vjeç, banues në Tiranë.

19-vjeçari ishte person i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Ky shtetas, më datë 11.09.2020, në rrugën “5 Maji” pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta,  ka qëlluar me armë zjarri shtetasin R. Gj.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme. g.v/abcnews.al