Arrestohet në Kosovë Alil Demiri i dënuar me burgim të përjetshëm në Maqedoni të Veriut

schedule19:37 - 24 Gusht, 2023

schedule 19:37 - 24 Gusht, 2023

Policia e Kosovës e ka arrestuar të enjten Alil Demirin, i cili kërkohej me fletarrestim ndërkombëtar të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut për veprën penale “terrorizëm” për vrasjen e pesë të rinjve më 2012 në Shkup, njoftoi policia maqedonase.

Demiri, 38 vjeç, u arrestua më 24 gusht në Kosovë, ku besohet se ka qëndruar qëkur u arratis pasi u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2012 nga një gjykatë e shkallës së parë, në rastin e njohur si “Monstra”.

Rasti u kthye në rigjykim dhe ai u dënua sërish me burgim të përjetshëm në mungesë në vitin 2021.

Ministria e Brendshme maqedonase tha se Policia e Kosovës e ka njoftuar më 24 gusht se “Demiri do të paraqitet para gjykatësit kompetent ”.

Ai kërkohej me urdhër të Gjykatës Themelore të Shkupi, për kryerjen e veprës penale “terrorizëm” nga neni 394 i Kodit Penal, lidhur me rastin e njohur “Monstra” të vrasjes së pesë të rinjve maqedonas pranë liqenit të Smilkovës, në afërsi të Shkupit, më 12 prill të vitit 2012.

Viktimat ishin katër të rinj të moshës prej 18 deri 20 vjeç dhe një tjetër i moshës 44-vjeçare. Trupat e tyre të pajetë ishin gjetur natën e 12 prillit të atij viti nga disa persona që po peshkonin në liqenin artificial.

Përveç Alil Demirit, në këtë rast me burgim të përjetshëm u dënuan dhe vëllezërit Agim dhe Afrim Ismailoviq. Për pjesëmarrje në këtë vrasje, Fejzi Aziri u dënua me 15 vjet burgim, ndërsa Haki Aziri me nëntë vjet burgim.

Dy nga të dënuarit me burgim të përjetshëm, Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviqi, besohet se ndodheshin prej shumë vjetësh në Kosovë, por autoritetet lokale refuzuan t’i ekstradojnë në Maqedoninë e Veriut.

Ismailoviqi ishte arrestuar nga policia e Kosovës më 2 prill 2021 bazuar në një fletarrestim ndërkombëtar, por Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi ta refuzonte kërkesën e autoriteteve maqedonase për ekstradimin e tij.

Rasti “Monstra” ka shkaktuar protesta e përplasje të shumta në Maqedoninë e Veriut, për shkak të dyshimeve se bëhet fjalë për “proces të montuar nga shërbime të jashtme”.

Partitë politike shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, kanë kërkuar përfshirjen ndërkombëtarëve në zbardhjen e rastit, por kërkesa e tyre është refuzuar nga organet gjyqësore.

Reagimet dhe protestat u përshkallëzuan pasi ish-kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, gjatë publikimit të asaj që njihej si “afera e përgjimeve” në vitin 2013, kishte pretenduar se “në bazë të të dhënave, të dënuarit nuk ishin autorët e vërtetë” të vrasjes së pesë maqedonasve në Smillkovë./REL