Arrestohet në flagrancë 27 vjeçari në Muriqan, posedonte 20 kg Cannabis Sativa

schedule20:56 - 5 Gusht, 2019

schedule 20:56 - 5 Gusht, 2019

Policia Kufitare parandalon dhe godet një tjetër tentativë për trafikim të lëndëve narkotike.

Arrestohet në flagrancë një 27 vjeçar, i cili tentoi të trafikonte në drejtim të Malit të Zi, 20 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa.

Shërbimet e Policisë Kufitare të Drejtorisë Rajonale Për Kufirin dhe Migracionin Shkodër në PKK Muriqan, në zbatim të masave shtesë për rritjen e kontrollit me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë që mund të zhvillohet në pikat e kalimit si pasojë e fluksit të madh gjatë sezonit turistik veror, kanë kaluar në vijën e dytë për kontroll të imtësishëm një mjet të dyshuar se mund të transportonte lëndë narkotike.

Nga kontrolli i imtësishëm i ushtruar mjetit që drejtohej nga 27 vjeçari, shërbimet e Policisë Kufitare gjetën të fshehur dhe sekuestruan 20 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa.

Në vendngjarje ka mbëritur grupi hetimor dhe specialistët për hetimin e narkotikëve në DVP Shkodër të cilët në përfundim të veprimeve kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit: D.K., 27 vjeç, banues në fshatin Kçar i Poshtëm -Demiraj, Malësi e Madhe.

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” mbetur në tentativë”./abcnews.al