Gazetarja malazeze Anxhela Gjikanoviç e portalit “FOS” në Podgoricë, u arrestua të dielën në mbrëmje për shkaktim paniku dhe trazira në Malin e Zi. Pas seancës dëgjimore, Prokurori i Përgjithshëm do të vendosë për veprimet e mëtejshme.
Policia malazeze tha se Gjikanoviç, si redaktore përgjegjëse e FOS media, ishte autorja e një teksti të rremë të botuar në këtë portal me titullin “FOS” zbulon: Anëtarët e ROSU-së në dispozicion të Malit të Zi për Ditën e Krishtlindjes”. Sipas këtij teksti, “rreth 250 pjesëtarë të ROSU – Forcave Speciale të Kosovës do të jenë të disponueshëm për autoritetet malazeze të sigurisë në ditën e protestës në Podgoricë, të planifikuar për nesër”. Publikimi i këtij informacioni të rremë ka shkaktuar panik në publik.
Teksti u botua rreth orës 11.00, dhe gjysmë ore më vonë, Qeveria e Malit të Zi e mohoi, duke thënë se portali “FOS” kishte botuar lajme të rreme se një njësi speciale e Kosovës ishte angazhuar për të monitoruar mitingjet në Podgoricë. “Ky informacion i rremë ka për qëllim të shqetësojë publikun dhe të shkaktojë trazira.
Qeveria po i kërkon Prokurorisë të përgjigjet urgjentisht, “thuhet në deklaratën e Qeverisë së Malit të Zi. Gazetarja Gjikanoviç u thirr në ambientet e policisë së Podgoricës rreth orës 02:00, ku inspektorët u këshilluan me kryeprokurorin. Menjëherë pas njoftimit, portali “FOS” tërhoqi tekstin dhe më pas redaksia kërkoi falje për lajmin e rreme./abcnews.al