Ka rënë në prangat e policisë 17-vjeçari Orest Metuku që drejtonte automjetin, nga i cili u qëllua me armë zjarri në drejtim të automjetit tjetër dy ditë më parë.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës, rreth orës 22:30, në rrugën “New York”, tek Rrethi i Bathores dhe fatmirësisht nuk pati të lënduar.
Mësohet se 17-vjeçari i nxitur nga shtetasit e tjerë të përfshirë në këtë ngjarje, për të pranuar autorinë, ka dhënë deklaratë të rreme gjatë veprimeve hetimore.
Ndërkohë, policia po punon për kapjen e tre shtetasve të shpallur në kërkim.
Njoftimi i policisë:
Vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 22.02.2025, në Kamëz.
Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga një 17-vjeçar, i cili dyshohet se drejtonte automjetin nga i cili u qëllua me armë zjarri në drejtim të automjetit tjetër.
Si rezultat i veprimeve intensive hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 22.02.2025, në Kamëz, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kamëz kanë identifikuar, kapur dhe vënë në pranga një shtetas 17 vjeç, banues në Kamëz, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës“, “Deklarata e rreme para oficerit të policisë gjyqësore” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, i nxitur nga shtetasit e tjerë të përfshirë në këtë rast, për të pranuar autorinë e rastit, ka dhënë deklaratë të rreme gjatë veprimeve hetimore.
Punohet për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim për këtë rast dhe për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./abcnews.al