Policia e Dibrës ka vënë në pranga autorin që vrau 32 vjeçarin në Maqellarë. Sipas njoftimit të policisë lokale vrasja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta.
Një banor i njësisë administrative të Shupenzës me inicialet M.G është ndaluar nga policia, pasi dyshohet se ka vrarë me armë zjarri të riun Elsi Kosiqi në Maqellarë. Policia për arsye hetime nuk ka bërë publike detaje nga arrestimi i tij, por dyshohet që konflikti të ketë ndodhur për motive të dobëta. Kur 32 vjeçari po mbyllte portën e oborrit të shtëpisë së tij, dyshohet se dy persona të armatosur i dolën përballë.
Njëri prej tyre shtiu me automatik dhe e la të vdekur në vend. Dy plumba kishin shpuar trupin e 32 vjeçarit dhe policia gjeti dy gëzhoja automatike. Ekzekutimi ndodhi në Maqellarë të Dibrës aty ku dhe banonte viktima.
Nga të dhënat thuhet se Kosiqi i cili është bashkëpronar me vëllain e tij në një hotel në llixhat e Peshkopisë, sapo ishte kthyer nga Maqedonia.
Ai kishte parkuar makinën dhe po mbyllte portën e shtëpisë. Por autorët mesa duket ishin fshehur në një kanal pranë, dhe i kishin zënë pritë. Në polici mbahen të shoqëruar edhe disa persona të tjerë për të zbuluar nëse është midis tyre bashkëpunëtor i autorit të vrasjes./abcnews.al