Arrestohen tre shtetas maqedonas për pjesëmarrje në luftë në Siri

schedule18:19 - 12 Maj, 2023

schedule 18:19 - 12 Maj, 2023

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Maqedonisë së Veriut njoftoi se ka arrestuar tre shtetas maqedonas, të cilët, sipas saj, kanë marrë pjesë aktive në luftën në Siri, si “pjesëtarë të organizatës militante Shteti Islamik (ISIL)”.

Siç thuhet në njoftim, tre të arrestuarit “kanë qenë objekt i interesimit të shërbimeve të sigurisë në periudhën e kaluar” dhe janë arrestuar në kuadër të luftës globale kundër terrorizmit.

Njoftohet se dy persona u arrestuan në Maqedoninë e Veriut dhe një në Francë, sipas një urdhër-arresti maqedonas, si rezultat i bashkëpunimit të MPB-së dhe Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (ANB) me autoritetet franceze.

Sipas policisë, të arrestuarit, me inicialet O. S. (28 vjeç), R. S. (33 vjeç) dhe M. G. (26vjeç), në vitin 2014 iu bashkuan formacioneve të armatosura të organizatës militante Shteti Islamik, në territorin e Sirisë dhe morën pjesë aktive në operacionet ushtarake.

“MPB-ja, me urdhër për bastisje të shtëpive dhe objekteve tjera të lëshuara nga gjyqtari i procedurës paraprake, sot në orët e paradites ka kryer bastisje në dy lokacione në Shkup, te O.S. dhe R. S., ku janë gjetur dhe konfiskuar armë, municione, telefona celularë dhe pajisje të tjera elektronike që mund të përmbajnë dëshmi shtesë për veprën e kryer”, tha zëdhënësi i MPB-së së Maqedonisë së Veriut, më 12 maj.

Siç theksoi ai, sipas dëshmive të siguruara, sektori policor për luftë kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë për krim të organizuar të Maqedonisë së Veriut, kundër personave të përmendur, për veprën penale “shërbimi në ushtrinë armike”, parashikuar në nenin 322 të Kodit Penal.

Sipas atij neni të Kodit, për pjesëmarrje “në ushtrinë e armikut” parashikohet dënim me burg prej së paku tre vjetësh, ndërsa për rekrutimin e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, së paku pesë vjet.

Në janar të këtij viti, shërbimet e NATO-s dhe Maqedonisë së Veriut parandaluan tri tentativa për sulme terroriste. Agjencia e Inteligjencës dhe Shërbimit të Sigurisë së Maqedonisë së Veriut, i tha asokohe Radios Evropa e Lirë se në bashkëpunim me shërbimet e sigurisë të vendeve anëtare, janë parandaluar sulmet terroriste në Maqedoninë e Veriut dhe në vendet fqinje. /REL