Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ka reaguar në lidhje me operacionin e AMP dhe SPAK, ku u arrestua shefi i antidrogës në Durrës, Gazmir Preçi, i cili shantazhoi një biznesmen duke i kërkuar 20 mijë euro.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hoxha u shpreh se ky operacion, është mesazh i qartë për punonjësit e policisë të cilët hiqen si padronë dhe shtoi se ata do të marrin ndëshkim të ashpër ligjor.
“Operacioni i AMP-së, në bashkëpunim me SPAK, është mesazh i qartë për ata punonjës policie të cilitdo niveli qofshin, që do të tentojnë të cenojnë besimin e qytetarëve tek Policia, duke u hequr si padronë të qytetarëve dhe bizneseve, dhe jo si shërbëtorë të ligjit, do të marrin ndëshkimin më të ashpër ligjor. Mbështes dhe inkurajoj AMP-në dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, si dhe nxis dhe garantoj qytetarët dhe bizneset të denoncojnë raste të tilla, sepse vetëm bashkërisht arrijmë të realizojmë objektivin madhor, për të pasur një Polici sa më profesionale dhe me integritet të lartë moral e ligjor!”, theksoi Hoxha./abcnews.al