Këtë të premte, Forcat speciale RENEA kanë arrestuar Marklen Hakën një nga personat e shumë kërkuar nga policia e shtetit. 33-vjeçari është arrestuar në fshatin Nikël në Krujë në oborrin e një banese. Haka cilësohet si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Lidhur me arrestimin e tij, ka folur në “Edicionin Qendror”, gazetarja e ABC News, Etleva Delia, e cila e ka konsideruar Hakën një personazh kyç për dosjen e fundit të SPAK, ku emri i tij del dhe lakohet në bisedat në SKY, organizim vrasjesh, sigurim kushtesh.
Ajo ka theksuar se Haka “luante me dy porta”, në njërën anë ndiqte Arben Ndokën dhe në anën tjetër komunikonte me Emiljano Shullazin dhe i jepte informacione për Durim Bamin.
“Është një personazh i rëndësishëm. Është personazh kyç për dosjen e fundit të SPAK, ku emri i tij del dhe lakohet në bisedat në SKY, organizim vrasjesh, sigurim kushtesh. Emri i tij del në të dy krahët, luan me dy porta, ai shihet dhe në krahun e Durim Bamit, që në fakt është dhe kushëriri i tij, siguron informacione për vrasjen e Arben Ndokës. Madje, në dosjen e SPAK, thuhet që ky luan rolin e siguruesve, të ruajtjes dhe të ndjekjes së Arben Ndokës. Nga krahu tjetër, përmend dhe Emiljano Shullazin, me të cilin komunikon në burg me anë të aplikacionint SKY, jep informacione për Durim Bamin. Në të dyja rastet, del i përfshirë për sigurim të kushteve për kryerjen e vrasjeve në kuadër të grupeve të strukturuara kriminale”, u shpreh gazetarja./abcnews.al