Arrestimi i kryebashkiakut/ Revoltë në rrugët e Stambollit, protestuesit përplasen sërish me Policinë

schedule22:39 - 22 Mars, 2025

schedule 22:39 - 22 Mars, 2025

STAMBOLL- Protestuesit turq janë përplasur të shtunën me forcat e policisë para objektit të Kuvendit Komunal në Stamboll, në natën e katërt të protestës kundër arrestimit të kryetarit të qytetit, Ekrem Imamoglu.

Përplasja ndodhi pasi Imamoglu, i cili është rivali kryesor politik i presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, u mor në pyetje nga prokurorët në një gjykatë të Stambollit, nën akuzat për korrupsion dhe për lidhje me organizata terroriste.

Turma e protestuesve nisi të mblidhet para objektit të Kuvendit Komunal në orët e mbrëmjes për ta demonstruar mbështetjen për Imamoglu.

Një tjetër turmë u mblodh para gjykatës, ku lideri opozitar po mbahet. Prokurorët e morën në pyetje Imamoglun për afro 5 orë.

Kryetari i Stambollit i ka hedhur poshtë akuzat për aferat korruptive dhe për lidhjet e tij me organizatën terroriste kurde, PKK.

Arrestimi i tij në fillim të javës i intensifikoi protestat në disa qytete të Turqisë dhe për pasojë mbrëmjen e së premtes u arrestuan 343 protestues./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!