Gazment Bardhi ka reaguar për arrestimin e ish-kryebashkiakut të Vorës Agim Kajmaku në Itali. Në një postim në Facebook, Bardhi thotë se Edi Rama është përgjegjës për kriminalizimin e qeverisjes qendrore dhe asaj lokale.
Deputeti demokrat kujton se Rama e emëroi Kajmakun në krye të bashkisë Vorë dhe shton se ai do të ishte në detyrë ende nëse PD nuk do ta kishte dënuar të shkuarën e tij kriminale.
GAZMENT BARDHI NË FACEBOOK
“Edi Rama është përgjegjës për kriminalizimin e qeverisjes qëndrore dhe lokale. Ai nuk mund të fshihet dhe nuk mund ti ikë përgjegjësisë së tij.
Edi Rama e emëroi Agim Kajmakun kryetar të bashkisë së Vorës dhe ai do të ishte sot në detyrë nëse PD nuk do kishte denoncuar të shkuarën e tij kriminale. Asokohe Edi Rama dhe Belinda Balluku, në vend të ndjesës ndaj qytetarëve, zgjodhën baltën ndaj denoncuesve.
Që nga muaji Tetor 2021 Edi Rama ka bllokuar iniciativën e PD për vettingun e politikës. Sot më shumë se kurrë ajo iniciativë duhet të ecë përpara, duke garantuar jo vetëm largmin e të inkriminuarve nga qeverisja, por edhe shkëputjen e lidhjeve mes krimit dhe politikës.”
Ish-kryebashkiaku i Vorës Agim Kajmaku u arrestua nga policia italiane pasi është vëzhguar për disa orë nga një njësi e specializuar në luftën ndaj narkotikëve. Për rreth 60 ditë Kajmaku dhe grupi të cilit i shërbente ishte nën vëzhgim të rreptë 24 orë.
Për të ndjekur hap pas hapi çdo lëvizje të tij, policia italiane kishte montuar kamera në disa akse, banesa dhe lagje ku kryheshin bisedat dhe takimet që kishin tematikë aktivitetin e paligjshëm të lëndëve narkotike në shtetin fqinj dhe Europë.
Kujtojmë se Agim Kajmaku u shkarkua nga detyra e kryebashkiakut të Vorës që mori në 30 qershor 2019, pasi nuk deklaroi një procedim penal në Greqi. Gjykata e Tiranës kishte caktuar masën arrest me burg për Kajmakun pasi akuzohej për falsifikim të vulave dhe dokumenteve, si dhe për kryerjen e funksionit pasi i kishte përfunduar mandati. 49-vjeçari fitoi zgjedhjet vendore në Vorë, pasi ishte kandidat i vetëm i Partisë Socialiste.
Dy javë pasi ishte betuar si kryebashkiak, Partia Demokratike denoncoi Agim Kajmakun se kishte mashtruar me formularin e Dekriminalizimit, duke fshehur identitetin Jorgo Toto, me të cilin ishte ndjekur penalisht në Greqi. Pasi u provuan akuzat, KQZ i hoqi mandatin Kajmakut, por 49-vjeçari pikërisht në atë ditë shkarkoi dy nënkryetarët e bashkisë, që u cilësua si i paligjshëm nga gjykata.
Që prej Nëntorit të 2019, Agim Kajmaku i është fshehur drejtësisë. Ai u arrestua në 2020 në një spital i shtruar pasi vuante nga probleme shëndetësore. Gjykata e Apelit vendosi të ndryshojë masën e sigurisë për ish-numrin një të Bashkisë së Vorës, nga arrest me burg në detyrim paraqitje. Në qershor të 2020, Agim Kajmaku u dorëzua Polici, pas disa muajsh arrati, ndërsa gjykimi ndaj tij po zhvillohet në gjendje të lirë. /abcnews.al/