Arrestimi i ish-kreut të Kadastrës Vlorë, “grabitja” që e çoi në pranga, falsifikimet në zona turistike

schedule19:19 - 18 Tetor, 2021

schedule 19:19 - 18 Tetor, 2021

Mbrëmjen e së dielës policia e Vlorës arrestoi ish Drejtorin e Kadastrës së Vlorës Klodian Troci, i cili akuzohet për “shpërdorim të detyrës” dhe “falsifikim të vulave, stampave ose formularëve”.

Sipas policisë gjatë kontrollit të banesës në Tiranë atij i është gjetur një shumë e madhe parash prej 65.000 Euro, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës.

Arrestimi i ish drejtuesit të Kadastrës në Vlorë erdhi pas hetimeve disa javore të kryera nga Prokuroria e Vlorës për tjetërsimin e pronave në bregdetin jugor.

Prokuroria urdhëroi pak ditë më parë arrestime të dy punonjësve të Zyrës së Administrimit të Tokës në Qarkun e Vlorës, drejtuesit të zyrës Bardhyl Gjika dhe specialistit Kreshnik Mino të dyshuar për falsifikim të dokumenteve të pronësisë.

Së bashku me dy zyrtarët ishte arrestuar edhe Spiro Duni në favor të të cilit sipas policisë dyshohet se janë kryer falsifikimet.

Burime hetimore i thanë Zërit të Amerikës se hetimet ndaj zyrtarëve të Qarkut dhe Kadastrës së Vlorës përfshijnë raste kur dokumente të pronësisë kanë qenë me probleme falsifikimi, por janë njohur si të rregullta nga Zyra e Administrimit tëTokës së Qarkut Vlorë dhe më pas janëlëshuar tituj të pronësisë nga Kadastra për t`i hapur rrugë shitblerjeve në shuma të mëdha financiare me destinacion kryerjen e ndërtimeve turistike.

Hetimet u intesifikuan nga Prokuroria e Vlorës pak ditë më parë kur në Zyrën e Administrimit të Tokave në Qarkun e Vlorës u grabitën dokumente që lidheshin me prona në Dhërmi.

Konfliktet për pronat në bregdetin jugor kanë qenë të pranishme vitet e fundit sidomos për zonat ku janë lëshuar nga qeveria lejet për ndërtimin e qendrave turistike.

Autoritetet e administrimit të pronave kanë pohuar se 10 drejtues në Agjencinë e Kadastrës në Vlorë janë ndryshuar në harkun e dy viteve të fundit duke u larguar apo dhënë dorëheqjen si pasojë e këtyre konflikteve./VOA

Titulli origjinal: Arrestime në Vlorë për pronat e bregdetit jugor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!