Arrestimi i Horgito Peqinit, rikthen lejet e zakonshme për policët e Elbasanit

schedule16:37 - 26 Gusht, 2022

schedule 16:37 - 26 Gusht, 2022

Një ngjarje e rëndë tronditi qytetin e Elbasanit mbrëmjen e 17 gushtit, pasi në qendër të qytetit u vra 33-vjeçari Madrit Ulqinaku, i cili u qëllua me pistoletë nga 18-vjeçari Horgito Peqini.

Burime për Abc bëjnë me dije se e gjithë ngjarja ka ndodhur në një kohë që patrulla e policisë ka qenë në një distancë mjaft të shkurtër nga vendi ku ndodhi vrasja.

Lidhur me ngjarjen policia ka arrestuar Horgito Peqinin 18-vjeç, Klaudian Sallufin 33-vjecc dhe 18-vjeçarin Ejden Dino, dy të fundit akuzohen si bashkëpunëtorë në krim.

Pas ngjarjes i arrestuari i parë Ejden Dino ka deklaruar në polici, se para se të ndodhte vrasja ai, Horgito Peqini dhe Klaudin Sallufi kanë qenë duke konsumuar birra dhe lëndë narkotike, ndërsa kur janë larguar nga banesa Dino ka marrë në çantë një thikë ndërsa Peqini pistoletën, me të cilën kreu dhe krimin.

Në dëshminë e 18-vjeçarit Dino thuhet se e gjithë ngjarja ka ndodhur pas një përplasjeje banale mes Madrit Ulqinakut dhe Klaudian Sallufit, pasi ky i fundit e akuzoi se e kishte bërë pis.

Pas këtij momenti është afruar Peqini i cili ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar mbi Ulqinakun duke e lënë të vdekur.

Ndërkohë policia është duke hetuar në një tjetër pistë, pasi dyshohet se krimi mund të ketë ndodhur pas prishjes së pazareve të drogës mes të rinjve.

Ndërkohë burime për Abc bëjnë me dije se pas arrestimit të Horgito Ulqinakut policëve të Drejtorisë së Elbasanit ju është kthyer e drejta për të marrë lejen e zakonshme.

Sipas të njëjtave burime një ditë pas ngjarjes vetë Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit me anë të një urdhëri të lëshuar gojarisht ka deklaruar se pa u mbyllur ngjarja, dhe pa u arrestuar autori i krimit të 17 gushtit, asnjë efektiv policie nuk do të merrte lejen e zakonshme.

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!