Arrestimi dhe më pas dëbimi i Marko Gjuriç, duket se ka lëkundur ekuilibrat në koalicionin qeverisës në Prishtinë. Lista Serbe ka paralajmëruar largimin, ndërkohë Perëndimi ka shprehur shqetësimin e tij për zhvillimet në veri të Mitrovicës.
Arrestimi i përkohshëm i shefit të Zyrës serbe për Kosovën, Marko Gjuriç, ka shkaktuar një sërë reagimesh. Në Prishtinë, më i rëndësishmi ka qenë ai i Listës Serbe, e cila ka miratuar një nismë për largimin nga qeveria e Kosovës. Në një komunikatë për shtyp pas dëbimit të Gjuriç, Lista Srpska ka deklaruar se ngjarja e sotme është një akt i rëndë që tregon më së miri fytyrën e vërtetë të institucioneve të Kosovës.
“Në mënyrë brutale, me armë në fytyrë, me shashka dhe me anë të forcës janë dhunuar gra e burra, përfaqësues legjitimë të popullit serb. Në këto rrethana dialogu nuk ka asnjë kuptim”, thuhet në deklaratën e Listës Serbe.
Ndërkohë, ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie ka shprehur shqetësimin e tij për zhvillimet.
“Jam shumë i shqetësuar nga ngjarjet e sotme në Mitrovicë. Nuk ka alternativë veç dialogut”, ka thënë ai në Twitter.
Ndërsa shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini ka zhvilluar biseda telefonike me presidentët Thaçi e Vuçiç për t’u informuar mbi ngjarjen. Në bisedën me Thaçin, Mogherini, sipas mediave kosovare, ka shprehur keqardhje për zhvillimet në Mitrovicë. Nga ana e tij, presidenti ka shprehur angazhimin për të ruajtur frymën e dialogut me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve.
Ndërsa zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli ka mbrojtur veprimin e policisë, e cila sipas tij ka vepruar sipas ligjit. Në profilin e tij në Facebook, Pacolli ka nënvizuar se zotit Gjuriç i ishte bërë disa herë thirrje që të respektonte ligjet e Kosovës, “sikurse bën çdo qytetar kudo që shkon”, ka thënë ai./abcnews.al