Një fillim të mbarë e ka cilësuar kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha arrestimin e kryebashkiakut të Lushnjes, Fatos Tushes.
Në një postim në rrjetet sociale, Basha thekson se arrestimi ka ardhur pas denoncimeve shumëvjeçare të PD. Ndërsa e quan se mund të jetë fillim i mbarë prangosja e Fatos Tushes, kreu i demokratëve shton se kjo do të varet nga aftësia, kurajo dhe pavarësia e drejtësisë për të goditur lidhjet e pushtetit me krimin.
“Arrestimi i Fatos Tushës pas denoncimeve shumëvjeçare nga PD të bashkëpunimit të tij korruptiv me krimin e organizuar, mund të jetë një fillim i mbarë. Por kjo do të varet nga aftësia, kurajo dhe pavarësia e drejtësisë për të goditur lidhjet e pushtetit me krimin, lidhjet e Hakmarrjes për Drejtësi me Tushën, Braçen dhe vetë Ramën, dhe përfitimet e tyre të ndërsjellta në vite të gjata bashkëpunimi,” shkruan Basha.
SPAK arrestoi sot kryebashkiakun e Lushnjes, Fatos Tushe si edhe 11 punonjës të tjerë të institucioneve të varësisë me akuzën e korrupsionit.
Operacioni erdhi pas zbulimit të aferës korruptive me ndërtimin e një kanali vaditës, projekt me vlerë 24 milion lekë. Sipas SPAK, Tushe në bashkëpunim me të tjerët ka abuzuar me këtë tender duke përfituar shuma të mëdha financiare. g.v/abcnews.al