Arrestimet, Thaçi mbron veteranët e UÇK: U cënua legjitimiteti i Gjykatës Speciale

schedule20:06 - 25 Shtator, 2020

schedule 20:06 - 25 Shtator, 2020

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë një deklaratë për media, pas zhvillimeve në vend, ndërsa janë bastisur zyrat e veteranëve të UÇK, si dhe janë bërë edhe arrestime.

Thaçi ka thënë se “qytetarët e Kosovës dhe tërë bota presin që Dhomat e Specializuara t’i japin përgjigjen e duhur, profesionale dhe transparente pretendimeve monstruoze, siç janë insinuatat për “trafikimin e organeve njerëzore nga UÇK-ja” apo për “Shtëpinë e verdhë”, në emër të të cilave ne ishim të detyruar që t’i themelojmë Dhomat e Specializuara”.

Në deklaratë, Thaçi mbron veteranët dhe thotë se është cënuar legjitimiteti i Gjykatës Speciale.

“E theksoj se rrjedhja e dokumenteve ka cenuar legjitimitetin e gjykatës në sytë e qytetarëve, ka dëmtuar imazhin e shtetit të Kosovës dhe të drejtat e të pandehurve potencialë. Publikimi i këtyre dokumenteve ka qenë i papranueshëm”, ka thënë Thaçi.

LEXO EDHE: ​Arrestoi kryetarin, EULEX përfundon pas 8 orësh bastisjen e zyrave të veteranëve të UÇK

Presidenti i Kosovës ka deklaruar se “veteranët e UÇK-së janë vlera më sublime e rezistencës dhe lëvizjes sonë për liri e pavarësi. Asnjë grackë e ngrehur nga kushdo nuk do ta vendosë Kosovën në anën e kundërt të drejtësisë”.

“Është e qartë se kërkohet bashkëpunim i ndërsjellë, në perputhje me legjislacionin me të cilin janë themeluar Dhomat e Specializuara. Kjo drejtësi speciale është e obliguar që t’i përmbahet dhe të veprojë në kuadër të Kushtetutës së Kosovës dhe t’i respektojë të drejtat e të gjithëve”, ka thënë Thaçi.

“Asnjë i pandehur potencial nuk do t’i ikë drejtësisë. Prandaj, vlerësoj se nuk ka asnjë arsye për ekspedita apo aksione spektakulare. Ndërsa integriteti dhe dinjiteti i secilit qytetar duhet të respektohet”, është shprehur ai.

“E tërë bota e dinë se Kosova ishte viktimë. UÇK-ja dhe tërë populli i Kosovës janë përballur me gjenocid dhe spastrim etnik”, ka thënë Thaçi.

“Kosova gjithmonë ka qenë dhe do të jetë në anën e të vërtetës, bashkëpunimit, drejtësisë dhe të drejtës ndërkombëtare, e përcaktuar për ndërtimin e shtetit demokratik, ligjor dhe shumetnik, atdhe të të gjithë qytetarëve të saj”, ka deklaruar presidenti.

“Ky është vullnet i qytetarëve të Kosovës dhe përkushtim i institucioneve të shtetit të Kosovës”, ka përfunduar ai.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!