Gjykata e Durrësit ka vendosur pushimin e çështjes për 8 ndërtues dhe inxhinerë të arrestuar në qytetin bregdetar për abuzime me ndërtimet në qytetin e Durrësit dhe zonën e Golemit.
Në mesin e personave që u pushuan hetimet është inxhinieri kolaudues Arben Qato, që u përfol si një nga kolauduesit abuzivë të ndërtimeve pa lejë në qytetin e Durrësit dhe zonën e Golemit.
Si pasojë e kolaudimeve të falsifikuara dhe jo të drejta, por dhe punimeve të dobëta që kishte kryer në hotelin e tij “Vila Palma” në Golem, në tërmetin e 26 nëntorit 2019 humbi ndërtesën buzë detit, ku nga shembja mbeti i vdekur babai i tij Sadik Qato dhe fatmirësisht shpëtoi njëri nga djemtë e tij.
Qato në cilësinë e inxhinierit kolaudues, ka kryer kolaudimin e pallatit “përbindësh” në Golem që quhet kompleksi “Kamelia”, që pas kolaudimit nga Qato, pronari i pallatit solli dhe shumëfishimin e kateve.
Sipas Prokurorisë ky objekt është ndërtuar nga firma ndertuese “Universal Engineering 08” sh.p.k me administrator Enver Shaba, më pas kolauduar nga Qato, në mungesë të lejes së ndërtimit pasi KRRT kishte dhene leje ndertimi per vetem 12 kate ndërkohë që pronari ka ndërtuar objektin me 27 kate.
- Në mungesë të lejes së ndërtimit, subjekti ndërtues ka vazhduar ndërtimin e objektit, ku deri në muajin Maj të vitit 2012 (kohë kur është përpiluar akti i kolaudimit dhe procesi gjyqësor), provohet se objekti është ndërtuar në një lartësi 19 kate dhe 2 kat nën tokë, me sipërfaqe trualli 3587 m2 dhe sipërfaqe ndërtimi 37016 m2.Në mungesë të lejes së ndërtimit, subjekti ndërtues ka vazhduar punimet pa leje, duke e ndërtuar objektin me 27 kate dhe 2 kat nën tokë, me një sipërfaqe ndërtimore në total 38.595.1 m2. Ndërtim pa leje dhe jashtë sipërfaqes së miratuar me vendim gjykate është 1.579,1 m2, thotë prokuroria në ankimimin e saj drejtuar Gjykatës së Apelit.
Po ashtu prokuroria ne ankimimin e saj thotë se Gjyqtarja e çështjes ka qenë e njëanshme kur ka dhënë vendimin e pushimit pasi të shtatë të pandehurit nuk kanë pretenduar për pavlefshmëri apo papërdorshmëri të akteve të hetimit paraprak, duke kërkuar gjykim të shkurtuar.
“Asnjëri nga të pandehurit nuk kanë pretenduar për pavlefshmëri apo papërdorshmëri të akteve të hetimit paraprak, por të 7 (shtatë) të pandehurit, kërkuan gjykim të shkurtuar, sipas kërkesave të nenit 332/c.3 të Kodit të Procedurës Penale, duke ju dhënë vlerë procedurale të gjithëakteve të grumbulluara gjatë hetimit paraprak.
Me provat e administruara gjatë hetimit paraprak, kanë rezultuar të provuara veprat penale për të cilën janë akuzuar, të7(shtatë) të pandehuritpor gjykata i ka vlerësuar në mënyrë të njëanshme dhe interpretuar në kundërshtim me ligjin. Në përfundim, ka arsyetuar se nuk provohen faktet për të cilën janë akuzuar të pandehurit, duke vendosur pushimin e çështjes për të 7 (shtatë) të pandehurit në këtë gjykim”, thuhet në ankimin e Prokurorisë.
Gjykata ka pushuar çështjen në ngarkim të 8 personave të ndaluar me arsyetimin se nuk ndodhemi përpara konsumimit të elementeve të veprave penale ndaj dhe çështja duhet të pushojë.
“Gjykata përsa arsyetoi më lart çmon se, ndaj shtetasit Enver Shaba dhe shoqeria “Shala-E-CO” (Ish- Enrezo) sh.p.k, shtetasve Hysen Gashi, Arben Qato, Merita Zeqaj,Valentin Stanaj, Alketa Blakaj dhe shoqëria “Universal Engineering 08″shpk, nuk duhet të vazhdoj ndjekja penale per veprat penale “Ndertimi i paligjshem” (shtuar me ligjin nr.176/2014), parashikuar nga neni 199/a pgr.3 të Kodit Penal dhe “Shperdorimi i detyres” e kryer ne bashepunim, parashikuar nga neni 248 – 25 të Kodit Penal,, pasi rezulton se ne kete rast nuk ndodhemi perpara konsumimit te elementeve te veprave penale, Gjykata në referim të parashikimeve të nenit 328 pika 1 shkronja dh ) të Kodit të Procedurës Penale, “…del se i pandehuri nuk e ka kryer veprën ose nuk provohet që e ka kryer ai…” çështja duhet të pushohet”.
Për këto arsye,
Gjykata në zbatim të neneve 328 pika 1 shkronja dh të Kodit të Procedurës Penale Gjykata,VENDOSI:
1-Pushimin e proçedimit penal në ngarkim të pandehurit Enver Shaba i akuzuar për veprën penale të “Ndertimi i paligjshem” (shtuar me ligjin nr.176/2014), parashikuar nga neni 199/a pgr.3 të Kodit Penal.
2- Pushimin e proçedimit penal në ngarkim të pandehurit shoqeria “Shala-E-CO” (Ish- Enrezo) sh.p.k i akuzuar për veprën penale të “Ndertimi i paligjshem” (shtuar me ligjin nr.176/2014), parashikuar nga neni 199/a pgr.3 të Kodit Penal”.
3- Pushimin e proçedimit penal në ngarkim të pandehurit Hysen Gashi, i akuzuar për veprën penale të “Shperdorimi i detyres” e kryer ne bashepunim, parashikuar nga neni 248 – 25 të Kodit Penal.
4- Pushimin e proçedimit penal në ngarkim të pandehurit Arben Qato, i akuzuar për veprën penale të “Shperdorimi i detyres” e kryer ne bashepunim, parashikuar nga neni 248 – 25 të Kodit Penal.
5- Pushimin e proçedimit penal në ngarkim të pandehurës Merita Zeqaj, e akuzuar për veprën penale të “Shperdorimi i detyres” e kryer ne bashepunim, parashikuar nga neni 248 – 25 të Kodit Penal.
6- Pushimin e proçedimit penal në ngarkim të pandehurit Valentin Stanaj, i akuzuar për veprën penale të “Shperdorimi i detyres” e kryer ne bashepunim, parashikuar nga neni 248 – 25 të Kodit Penal.
7- Pushimin e proçedimit penal në ngarkim të pandehurës Alketa Blakaj e akuzuar për veprën penale të “Shperdorimi i detyres” e kryer ne bashepunim, parashikuar nga neni 248 – 25 të Kodit Penal.
8- Pushimin e proçedimit penal në ngarkim të pandehurit shoqëria “Universal Engineering 08″shpk i akuzuar për veprën penale të “Shperdorimi i detyres” e kryer ne bashepunim, parashikuar nga neni 248 – 25 të Kodit Penal./abcnews.al