Morën peng 35-vjeçarin/ Zbulohet grupi kriminal i drejtuar nga miku i Martinajt

schedule09:49 - 31 Korrik, 2024

schedule 09:49 - 31 Korrik, 2024

Policia e Tiranës, ka mundur të identifikojë autorët e pengmarrjes së 35 vjeçarit Ervis Xhixhës, në Kamëz, ngjarje kjo e regjistruar në Janar të këtij viti.

Lidhur me këtë ngjarje kriminale policia ka mundur të arrestojë Aleksander Osmanin 37 vjeç, dhe Artan Pirracin 50 vjeç, ndaj të cilëve gjykata ka caktuar masën e sigurisë së “arrestit me burg”. Ndërkohë është bërë ekzekutimi i masës së sigurisë “arrest në shtëpi” për biznesmenin dhe ish presidentin e klubit të futbollit të Kamzës, Naim Qarri 52 vjeç, Sajmir Kolaveri 42 vjeç dhe Adem Metkola 46 vjeç.

Si koka e këtij grupi për rrëmbimin e Ervis Xhixhës, rezulton të jetë Hektor Xheçuka dhe Fredi Keta, ndaj të cilëve gjykata e Tiranës ka caktuar masat e sigurisë së “Arrestit me burg” por policia nuk ka mundur që ti arrestojë, dhe është bërë shpallja e tyre në kërkim.

Grupi i Hektor Xheçukës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, Policia e Tiranës thotë se kishin marrë peng 35-vjeçarin Ervis Xhixha dhe e kanë kanosur atë për t’i marrë 70 mijë euro. Sipas hetimeve ka rezultuar se Xhixha ka pasur një borxh të pashlyer dhe kjo ka sjellë edhe pengmarrjen e tij. Nga ana tjetër, edhe Ervis Xhixha që u mor peng, është një personazh i njohur për drejtësinë, pasi u arrestua në vitin 2019, pasi gjatë një konflikti në Zall Herr në atë kohë qëlloi me armë në ajër.

Koka e këtij grupi, Hektor Xheçuka, 36 vjeç, I njohur edhe me emrin Tor Xheçuka nga qyteti I Burrelit, është shpallur në kërkim edhe nga Prokuroria e Posaçme pas operacionit “Revanshi”. Në dosjen hetimore të SPAK, thuhet se Hektor Xhecuka ishte pjesë e grupit të Ervis Martinajt.

Xheçuka, mësohet se fshihet në Dubai, ndërsa dyshohet si vrasës me pagesë, ku për llogari të Ervis Martinajt ka planifikuar vrasjen e Durim Bamit, plan ky i dalë në pah nga hetimet pas zbërthimit të bisedave në aplikacionin SkyECC. 36-vjeçari akuzohet nga SPAK për vrasje të mbetur në tentativë ndaj Durim Bamit, në 4 nëntor të vitit 2020, vrasje e mbetur në tentativë ndaj Hamza Terziu dhe sigurim i kushteve për të kryer vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!