Gjykata e Krujës ka lëshuar ditën e djeshme urdhër-arrestin për djalin e deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja, Rexhep Rrajën. 24-vjeçari u arrestua të dielën nga policia, ndërsa ndaj tij rëndojn akuza e “përndjekjes”.
Vetëm një akuzë rëndon mbi supet e 24 vjecarit Rexhep Rraja, djali i Deputetit Socialist të Fushë-Krujës Rrahman Rraja, i cili u vu në pranga pas dhunës së ushtruar ndaj të dashurës së tij Xhisiela Maloku: Përndjekje. Vendimi u mor në Gjykatën e Krujës nga gjyqtarja Enkeleda Hoxha, pas kërkesës “Arrest në burg” të bërë nga prokurorja e çështjes, Mirela Kapo. Rexhep Rraja u prangos nga policia e Krujës të dielën pranë banesës së tij, teksa vendimi për të, ishte marrë një ditë më parë.
Rexhep Rraja, emri i të cilit u bë i njohur për publikun që më 28 Shtator, kur u publikua një denoncim nga një ish-nënkomisar policie rëndon tashmë vetëm akuza e “përndjekjes”, ndaj ish dashurës së tij, pavarësisht raportit të bërë nga ekspertët mjekoligjor. Por çfarë parashikon Kodi Penal për nenin 121/ a, sipas të cilit është arrestuar Rexhep Rraja?
Neni 121/a, përndjekja:
“Kërcënimi ose ngacmimi i personit me anën e veprimeve të përsëritura, me qëllimin për t’i shkaktuar një gjendje të vazhdueshme dhe të rëndë ankthi apo frike për sigurinë vetjake, të një të afërmi ose të një personi, me të cilin ka lidhje shpirtërore, apo për ta detyruar të ndryshojë mënyrën e tij të jetesës, dënohet me burgim nga gjashtë muaj gjer në katër vjet.
Kur kjo vepër kryhet nga ish-bashkëshorti, ish-bashkëjetuesi apo personi që ka pasur lidhje shpirtërore me të dëmtuarin, dënimi rritet me një të tretat e dënimit të dhënë.
Kur kjo vepër kryhet ndaj të miturit, gruas shtatzënë ose një personi të pazotë për t’u mbrojtur, si dhe kur kryhet nga një person i maskuar ose shoqërohet me mbajtjen ose me përdorimin e armëve, dënimi rritet deri në një të dytën e dënimit të dhënë”.
Neni për të cilin është vënë në pranga Rraja, flet për dhunë psikologjike. Zyrtarisht, sipas raportit mjekoligjor, thuhet se ndaj vajzës, kishte jo vetëm dhunë fizike që ishte e dukshme në të gjithë trupin, por ishte përdorur goditur edhe qytën e një arme pistoletë.
Ndërkohë, dhuna ndaj vajzës nuk u mbyll me kaq. Në raport thuhet se Rexhepi i kishte fikur disa herë cigaren në trup Xhiselës, shenja që do të jenë të dukshme për një kohë të gjatë në trupin e saj.
Të shtunën Xhisiela Maloku, u mor në pyetje në ambientet e Prokurorisë së Krujës. Në dëshminë e saj, 25-vjeçarja i ka qëndruar disa prej fakteve të thëna më herët, por nuk ka dhënë shpjegime se, përse i kishte tërhequr tre kallëzimit e kryera më herët ndaj Rexhep Rrajas që e kishte dhunuar në më shumë se një rast sipas saj.
Ndërkohë, Drejtorja e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave, Anila Trimi ka përgënjeshtruar akuzat e ish-oficerit të policisë së Fushë Krujës, Emiljano Nuhu, lidhur me pretendimet se ky i fundit është kërcënuar me jetë në zyrën e tij, brenda stacionit të policisë së Fushë Krujës nga persona që kanë imunitet.
Po për këtë çështje, është pezulluar nga SHÇBA, edhe oficeri tjetër i postës së Fushë Krujës, Gentian Çitozi, i cili kishte marrë kallzimin e Xhiselës dhe nuk kishte vepruar sipas Kodit të procedurës penale./abcnews.al