Arrest me burg për Gentian Hoxhën

schedule10:51 - 15 Mars, 2018

schedule 10:51 - 15 Mars, 2018

Në një seancë të zhvilluar në ambientet e Spitalit të Traumës në kryeqytet gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për Gentian Hoxhën. Përmes avokatit, 34-vjeçari ka mohuar dyshimet e prokurorisë për prodhim minash me celular.

Paraditen e së enjtes, gjyqtarja Shefkie Demiraj dhe prokurori Ervin Karanxha u zhvendosën për pak orë nga Gjykata e Tiranës në Spitalin e Traumës.

Motivi i kësaj lëvizjeje ishte zhvillimi i seancës gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë për Gentian Hoxhën.

34-vjeçari qëndron në reanimacion për shkak të plagëve të marra gjatë një shpërthimi eksplozivi në servisin e tij të celularëve në rrugën “Pjetër Budi” në Tiranë. Prokuroria dyshon se Hoxha montonte mina me celular dhe një e tillë i kishte shpërthyer gjatë montimit.

Masa e sigurisë e caktuar në dhomën e spitalit u konfirmua nga gjyqtarja Demiraj.

Shefkie Demiraj: “Ajo e arrestit me burg e parashikuar nga neni 208 i Kodit të Procedurës Penale. Kaq mund t’ju them”.

Avokati Erlis Qypi, i caktuar kryesisht nga Gjykata tregoi qëndrimin mohues të klientit të tij ndaj dyshimeve të prokurorisë.

Erlis Qypi: “Ai thotë që thjesht kam patur një pako në dorë dhe më ka shpërthyer. Edhe në vijim do të shohim faktet, provat sepse ende nuk jemi njohur”.

Pas këtij vendimi të Gjykatës, Gentian Hoxha do të mbahet nën mbikqyrje policore në dhomën e spitalit teksa do të hetohet për akuzën e “prodhim dhe mbajtje të armëve dhe municioneve luftarake”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!