Aromë Hollywood-i për klubin e Sadikut dhe Bares, George Clooney gati ta blejë

schedule21:16 - 25 Shkurt, 2020

schedule 21:16 - 25 Shkurt, 2020

Malaga provoi të shkonte për herë të parë në çerekfinalet e Champions League shtatë vite më parë. Skuadra andaluziane ishte pak sekonda larg kualifikimit në katër më të mirat e Europës, por verdhezinjtë e Jurgen Klopp shënuan dy gola në minutat shtesë dhe u kualifikuan më tej.

Te Malaga luanin lojtarë si Isco, Demichelis, Joaquin dhe Julio Batista atë periudhë. Në krye të klubit kishte ardhur Abdullah Al Thani dhe investimet u rritën. Sheiku arab shpenzoi shumë në vitet e para, diçka që ka kohë që nuk ndodh, për shkak të keqkuptimeve me autoritetet vendase.

Skuadra spanjolle, ku aktivizohen aktualisht Armando Sadiku dhe Keidi Bare, garon në La Liga 2 dhe renditet në vend të 14-të. Situata nuk është me dikurshmja dhe rikthimi i Malagës në nivele të larta mund të vijë përsëri nga… presidenca.

Një grup sipërmarrësish amerikanë janë të interesuar për të blerë klubin iberik. Ky grup është i lidhur me Hollywood, konkretisht me aktorin e famshëm George Clooney. Problemi i vetëm lidhet me kërkesën e Al Thani, i cili kërkon 100 milion euro për të shitur klubin, gjithsesi negociatat vazhdojnë. /abcnews.al