Dy vëllezërit Arnold dhe Artan Balla ishin të ftuar në emisionin “Abc-ja e mëngjesit” për të folur për pasionin që kanë për akrobacinë. Prej vitesh ata i janë përkushtur këtij pasioni, ndërsa tregojnë dhe vështirësitë me të cilat janë përballur për të arritur të realizojnë dëshirën e tyre.
“Fillimet e mia i kam patur shumë të vështira sepse nuk më shikonte njeri me sy sepse thonin që nuk bëhesh, por që me punë ja ku jam. Në familjen time jemi rritur me frymën nëse i hyn diçkaje do ta nxjerrim deri në fund, dhe kjo më bëri të ecja. “, tha Arnoldi.
Arnoldi, edhe pse ka mbaruar shkollën për arkitekturë peisazhi, thotë se nuk do të heqë dorë kollaj nga ky pasion. Ai theksoi se ka dëshirë që të ketë një studio të veten, për t’ju dhënë mundësinë talenteve të reja të ushtrojnë këtë lloj profesioni.
“Kemi një grup që i stërvisim dhe pse jo të hapim një studio më të madhe dhe të kemi ambientet tona dhe të nxjerrim talente të reja dhe të përgatisim për shfaqje dhe evente ndërkombëtare, siç kemi marrë pjesë edhe ne”, tha Arnoldi.
Ndërkohë 18-vjeçari, Artani tha se që në moshën 13-vjeçare është marrë me akrobaci, por pavarësisht pasionit që ka për artin, ka vendosur të studiojë për juridik, pasi siç thotë ai, kjo fushë nuk ofron atë që ai kërkon.
“Kam 13 vite që merrem me art dhe kam parë që nuk kam një të ardhme të duhur, të mirëqenë siç duhet të jetë arti në të vërtetë, dhe me pjesën e artit nuk po ecën ashtu si duhet, kam qejf të studioj për drejtësi.”, tha ai.