Kryeministri libanez Najib Mikati shpreson se do të arrihet së shpejti një armëpushim për t’i dhënë fund luftimeve midis Izraelit dhe grupit të Hezbollahut të mbështetur nga Irani që ka tronditur vendin e tij dhe ka rritur frikën për një pushtim tokësor.
Por sulmet ajrore izraelite gjatë natës goditën rreth 75 objektiva të Hezbollahut në Luginën Bekaa dhe Libanin jugor, duke përfshirë objektet e ruajtjes së armëve.
Në sulmin e fundit vdekjeprurës, të paktën 23 sirianë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, u vranë pasi Izraeli goditi një ndërtesë trekatëshe në qytetin libanez të Younine gjatë natës, tha kryetari i bashkisë së qytetit, Ali Kousas, për Reuters. Libani është shtëpia e rreth 1.5 milionë sirianë që ikën nga lufta civile atje.
Dhe ndërsa armiqësitë vazhdojnë, Shtetet e Bashkuara, Franca dhe disa aleatë kanë bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm 21-ditor në kufirin Izrael-Liban, duke shprehur gjithashtu mbështetje për një armëpushim në Gaza pas diskutimeve të ashpra në Kombet e Bashkuara të mërkurën.
Mikat mirëpriti thirrjen për një armëpushim, por tha se çelësi i zbatimit të tij ishte nëse Izraeli, i cili ka zhvendosur trupat më pranë Libanit, do të angazhohej për të zbatuar rezolutat ndërkombëtare.
I pyetur nëse një armëpushim mund të sigurohet së shpejti, ai tha: “Ne shpresojmë që po”. Qeveria e përkohshme e Mikatit përfshin ministra të zgjedhur me kujdes nga Hezbollahu, i parë gjerësisht si forca politike më e fuqishme e vendit.
Armëpushimi do të zbatohet për vijën blu Izrael-Liban, vijën e demarkacionit midis vendeve, dhe do t’i lejojë palët të negociojnë një zgjidhje të mundshme diplomatike të konfliktit, tha një zyrtar i lartë i administratës Biden.
Izraeli ka prioritet sigurimin e kufirit të tij verior dhe kthimin e rreth 70,000 banorëve të zhvendosur nga përleshjet thuajse ditore të nisura nga Hezbollahu një vit më parë në solidaritet me grupin palestinez Hamas në Gaza.
Izraeli zgjeroi sulmet e tij ajrore në Liban të mërkurën, ku mbetën të vrarë 72 persona dhe 223 mbetën të plagosur.
Sulmet më të rënda ajrore të Izraelit në Liban në gati dy dekada u intensifikuan të hënën, kur më shumë se 550 njerëz u vranë në ditën më vdekjeprurëse që nga fundi i luftës civile të Libanit 1975-1990.
Rreth gjysmë milioni libanezë janë larguar nga shtëpitë e tyre dhe spitalet janë mbushur nga numri i madh i të plagosurve. Sulmet e reja erdhën një ditë pas sulmeve të koordinuara të javës së kaluar ndaj pajisjeve të komunikimit që vranë dhjetëra njerëz dhe plagosën mijëra.
Shefi i ushtrisë izraelite tha se një sulm tokësor ishte i mundur, duke rritur frikën se konflikti mund të nxisë një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme. Hezbollahu dhe Hamasi janë pjesë e një rrjeti grupesh të armatosura të sponsorizuara nga Irani në të gjithë rajonin.
Ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, u tha gazetarëve përpara një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të mërkurën se Izraeli do të mirëpriste një armëpushim dhe preferon një zgjidhje diplomatike.
Udhëheqësit botërorë kanë shprehur shqetësimin se konflikti po përshkallëzohet me shpejtësi. Sulmet ajrore izraelite këtë javë kishin në shënjestër liderët e Hezbollahut dhe goditën qindra vende brenda Libanit.
Grupi u përgjigj me një breshëri raketash të lëshuara në Izrael dhe një raketë që synonte Mossad-in që u kap nga Izraeli.