Armenia në krizë, vendi përfshihet nga mosbindja civile

schedule15:56 - 2 Maj, 2018

schedule 15:56 - 2 Maj, 2018

Armenia ka hyrë në krizë politike pasi Parlamenti nuk mbështeti kandidaturën e liderit opozitar për kryeministër të një qeverie kalimtare. Vendi është përfshirë nga mosbindja civile.

Dhjetëra mijëra mbështetës të liderit të protestave, Nikol Pashinyan, i janë përgjigjur thirrjeve të tij për mosbindje civile, duke bllokuar rrugët kryesore dhe ndërtesat qeveritare. Pashinyan ka drejtuar për disa javë protestat anti-qeveritare që çuan në dorëheqjen e ish-kryeministrit Serzh Sargsyan. Ai bëri thirrje për greve të përgjithshme pasi deputetët e partisë në pushtet refuzuan ta mbështesnin në pozicionin e kryeministrit të përkohshëm.

Protesta të mëdha u regjistruan në kryeqytetin Jerevan si dhe në qytetin e dytë më të madh në vend, Gyumri. Makina dhe Kamionë bllokuan rrugët kryesore të kryeqytetit, ndërsa demonstruesit ndaluan trafikun në rrugën qëndrore që lidh Jerevanin me aeroportin kryesor të vendit. Turistët u detyruan të braktisin makinat dhe të udhëtojnë në këmbë bashkë me valixhet e tyre. Stacionet e metrove në Jerevan janë mbyllur si pjesë e fushatës së mosbindjes civile.

Mësues dhe studentë të ndryshëm janë mes atyre që marrin pjesë në protestat massive që kanë bllokuar ish-shtetin sovjetik me 2.9 milionë banorë, një aleat i afërt i Rusisë. Hyrjet në disa ndërtesa qeveritare janë bllokuar. Gjithashtu mosbindja civile ka prekur dhe shërbimin hekurudhor dhe stacionet kufitare.

Ndërkohë, duke parë këtë situatë, lideri opozitar i bëri thirrje manifestuesve që të mos bllokojnë aeroportin si dhe shërbimin shëndetësor./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!