Autoritetet doganore gjermane kanë arrestuar pesë persona këtë të hënë, 2 shkurt, të dyshuar se kanë shkelur embargon e Bashkimit Europian ndaj Rusisë, duke eksportuar mallra industriale drejt prodhuesve rusë të armëve.
Sipas hetimeve të deritanishme, të dyshuarit kanë organizuar rreth 16 mijë dërgesa drejt Rusisë, ndërsa vlera e transaksioneve të paligjshme arrin të paktën 30 milionë euro. Kështu bën të ditur Prokuroria e Përgjithshme Federale e Gjermanisë.
Arrestimet vijnë në një kohë kur autoritetet në Kiev u bëjnë thirrje liderëve europianë të forcojnë kontrollet ndaj eksporteve të mallrave industriale dhe pjesëve që Rusia mund t’i përdorë për prodhimin e armëve të përdorura në luftën kundër Ukrainës.
Mes pesë personave të akuzuar janë dy shtetas me nënshtetësi të dyfishtë gjermano-ruse dhe një shtetas me nënshtetësi të dyfishtë gjermano-ukrainase. Në qendër të hetimit ndodhet një kompani tregtare në qytetin verior gjerman Lübeck, në pronësi të njërit prej të dyshuarve, i identifikuar nga gjykata si Nikita S.
Për të fshehur aktivitetin e tyre, të dyshuarit dyshohet se kanë përdorur të paktën një kompani “guackë”(fiktive, pa zyra reale dhe aktivitet normal ekonomik) tjetër në Lübeck, blerës fiktivë brenda dhe jashtë BE-së, si edhe një kompani ruse si përfituese.
Sipas prokurorisë, “përdoruesit përfundimtarë” të mallrave të eksportuara përfshinin të paktën 24 kompani ruse të mbrojtjes. Gjithashtu, institucionet shtetërore ruse dyshohet se kanë mbështetur këto procese furnizimi.
Mallrat e eksportuara përfshinin, mes të tjerash, komponentë mekanikë dhe teknikë për prodhimin e armëve ruse dhe pajisje gjysmëpërçuese.


