Armand Duka zgjidhet në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s

schedule13:33 - 7 Shkurt, 2019

schedule 13:33 - 7 Shkurt, 2019

Armand Duka zgjidhet në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit mori 36 vota në Kongresin që po zhvillohet në Romë.

Një shqiptar mes krerëve të Europës. Ndodhi në futboll, në Kongresin e UEFA-s që po mbahet në Romë, me Armand Dukën që fitoi garën për anëtar të Komitetit Ekzekutiv. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit fitoi me 36 vota, duke ia dalë në një konkurrencë të fortë, në votimin ku merrnin pjesë 54 federatat anëtare të UEFA-s.

Ishte hera e dytë që numri 1 i Federatës kandidonte, pas humbjes së ngushtë 4 vite më parë. Duka ishte optimist që përpara votimit, pasi besonte se mbështetej nga federatat kryesore europiane, si Anglia apo Franca dhe parashikimi i tij doli i saktë.

Kjo është hera e parë që një përfaqësues i futbollit shqiptar arrin kaq lart në hierarkinë kontinentale. Që nga fillimi i vitit, presidenti ka qenë vazhdimisht në udhëtim, në një fushatë të gjatë dhe të fortë. Tani që fitoi, Duka besohet se do të ketë mundësi të lobojë më fort për federatat e vogla në përgjithësi, dhe për atë shqiptare në veçanti.

Komiteti Ekzekutiv ka mandat 4-vjeçar, dhe përbëhet nga 16 anëtarë të federatave europiane, plus presidentin e UEFA-s.  Në kryeqytetin e Italisë pati votim për 8 nga anëtarët, të cilëve u përfundonte mandati dhe po ashtu pati votim për presidentin. Në Kongresin e Romës u rizgjodh presidenti aktual, Aleksandër Çeferin, pasi slloveni mori sërish besimin e anëtarëve./abcnews.al