Armand Duka del hapur: Më mirë ta anulojmë kampionatin nëse ndodh ky skenar!

schedule14:33 - 10 Maj, 2020

schedule 14:33 - 10 Maj, 2020

Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, ka folur së fundmi në lidhje me sportin më popullor në vend dhe botë. “Mbështesim rikthimin e futbollit. Normal nuk ka një risk zero. Kemi një përgjigje, që në ditët në vazhdim do marrim një vendim për aktivitetet sportive. Sporti është lënë jashtë, në mënyrë të padrejtë.

Të shohësh xhirot te liqeni, miting, dhe të na ndalojnë ne… Për sportin në përgjithësi qeveria duhet të ishte sjellë si me çdo biznes. U ndërpre me urdhër të qeverisë dhe duhet të merrnin një kompensim, si të tjerët. Edhe futbolli është biznes i ndërprerë, por qeveria nuk e ka pasur në listë”, tha Duka në “E diela Shqiptare” në TV Klan.

Ai tregoi më tej se FSHF nga kjo ndërprerje humb rreth 3 milion euro. Në lidhje me kampionatet në vend,  ai theksoi se duhet të nisin në fund të muajit maj, ndryshe atëherë do të ishte e kotë.  “Nuk mendoj se do ndërpritet, por nëse ndodh, atëherë katër ekipet e para shkojnë në Europë. Duket se futbolli është më i prekur nga kjo pandemi.

Kur thonë që do hapet i fundit futbolli, duket sikur veç ne na ka prekur dhe sikur duan që të mos zhvillohet futbolli. Të gjithë duan të kthehen në fushë. Janë 30 mijë njerëz dhe ka edhe ndonjë kundër, por më shumë se 90 për qind janë dakord.

Minimalisht duhen 20 ditë që ekipet të luajnë. Duhet të bëjnë një minifazë përgatitore. Nuk flasim për kushte normale dot, ndaj edhe me dy javë do të bëhej. Superiorja ka 10 javë, janë edhe ndeshjet e Kupës. Për ta mbyllur pa shumë ngjeshje, optimalja do të ishte 20 maj, maksimalisht fundi i këtij muaji. Të luash ndeshje çdo tre ditë do ishte e vështirë.

Kemi të gjitha versionet e kalendarëve. Kërkuam të nisnim me 2 maj stërvitjet, por nuk morëm asnjë përgjigje. Nëse data do jetë më e largët, atëherë do bëhen modifikime. Kupa mund të bëhet me një takim, ose edhe të mos zhvillohet fare. Nëse heqim Kupën, 4 vendet e para luajnë në kupat e Europës. Kështu ndodh në të gjitha vendet e Europës.

Nëse nuk fillojmë deri me 1 qershor, më mirë të themi stop. Pastaj futemi në një garë ku do luhet çdo 48 orë. Do ishte e kotë, ndaj më mirë le të nisim përgatitjet për sezonin tjetër. E mira është të fillojmë në fillim të qershorit, pasi me 6 gusht nisin kualifikueset e kupave të Europës. Uroj të mos ndodhin këto”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!