E konsideron shumë të bukur programin “Kush vjen për drekë”, të cilën e drejtoi në TV Klan. Por pas largimit, arsyeja pse e bëri diçka të tillë ka qenë një nga pyetjet që e ka shoqëruar më së shumti.
E ftuar në emisionin “Thumb”, Arjola Shehu ka treguar se shkak i largimit nga TV Klan ka qenë se ka menduar që e ka mbyllur ciklin me emisionet e gatimit.
“Kjo është një pyetje që më shoqëroi pas momentit që unë u shkëputa. Unë bëra një program që e desha shumë, që ishte shumë i bukur, që më shëndoshi. Në fund të ditës unë mendoj që unë e mbylla ciklin tim me gatimin aty”.
“Ka qenë një propozim nga TV Klan. Nuk është se unë kam shkuar dhe kam thënë kam këtë projektin. E pranova sepse në atë pikë ku isha dhe në hapin që kisha hedhur më duhej diçka. Dhe kjo diçka nëse është Klani që është ndoshta televizioni më i ndjekur dhe ka goxha audiencë padyshim që nuk mund t’i thosha jo edhe pse ky projekt ishte i panjohur për mua. Jo i padëshiruar. Nuk është se unë mora një projekt dhe thashë “sikur s’më rri”. Unë nuk e dija sa do të qëndroja brenda këtij formati. E provova, e shijova dhe pastaj u largova”, tha Arjola.
Arjola ka treguar se ka pasur diskutime edhe për mundësi të tjera në TV Klan, por do të shikohet nëse ka projekte në të ardhmen.
“Kemi folur për hapësira të tjera. Të shohim në se ka projekte në të ardhmen, por për momentin sikurse unë e thashë e kam mbyllur ciklin me gatimin. Ka qenë një eksperiencë e bukur dhe që më ka vlejtur shumë. Përtej të gjithave ka qenë shumë e bukur”, tregoi Arjola, e cila gjithashtu u shpreh se ka pasur oferta edhe nga televizione të tjera të rëndësishme në vend, por në fund plani nuk u konkretizua./abcnews.al