Entela Resuli – Dita
Për ata të cilët jetojnë në zonat urbane, pyjet dhe paraqet janë një destinacione të cilat nëse ke mundësi dhe dëshirë mund t’i prekësh vetëm fundjavave.
Por ka nga ata që jetën ja kanë kushtuar natyrës dhe puna në mes të saj i bën që të jenë mbrojtës ndaj gjithçkaje që qarkullon në të.
Parku Kombëtar Shebenik- Jabllanicë, në zonën e Librazhdit është një ndër më të rëndësishmit në vend.
I mbrojtur nga UNESCO ai ka një sipërfaqe prej 34 mijë ha, me pyje ahu qindravjeçar, livadhe e lule shumëngjyrëshe.
Fatmir Brazhda, drejtor i Administratës së Zonave të Mbrojtura në qarkun e Elbasanit duket se jeton në këtë park dhe në këtë intervistë në Dita na zbulon se çfarë ndodh në këtë terren i cili duhet ruajtur me fanatizëm, pasi është një nga pasurit natyrore më të paçmueshme që kemi.
Ai na tregon se ka një lidhje të veçantë me natyrën dhe për këtë arsye puna që bën nuk i duket si e tillë. Ka studiuar për inxhinieri pyjesh dhe nuk mendon të ndahet asnjëherë prej profesionit.
“Lidhja ime me natyrën është e pazëvendësueshme, jam i dashuruar përjetësisht me të, madje dua të ndaj me ju dhe lexuesit që unë jam diplomuar në Fakultetin e Shkencave Pyjore në degën Inxhinier Pyjesh dhe nga që jam i lidhur fort me këtë fushë shumicën e kohës ja kushtoj lëvizje nëpër pyje dhe për këtë qëllim edhe vajzës time ja kam vënë emrin Foresta që në italisht apo edhe në anglisht do të thotë Pyll. Uroj që edhe brezi i ri të rritet dhe të edukohet me dashuri ndaj natyrës”- thotë Brazhda për Dita.
Në këtë bisedë ne kuptojmë se çfarë kanë kapur “leqet” sëfundmi. Kamerat kurth, risi për këtë vit, që janë instaluar në pyll kanë zbuluar stil të ri jetese për shumë kafshë dhe shpendë.
Për shembull, ariu i murrmë nuk bie më në letargji dhe… është më i dobësuar. Arat e fshatrave të braktisur të zonës nuk ofrojnë ushqim mjaftueshëm që ai të ketë një trup të dhjamosur, por për këto dhe shumë të tjera drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura na i zbulon në këtë intervistë.
-Z. Fatmir, ju drejtoni Administratën e Zonave të Mbrojtura Elbasan, një zonë e pasur, në cilin moment jemi aktualisht për sa i përket asaj çka na ofron kjo zonë dhe si ka qenë ky dimër?
Si në çdo zonë malore, dimri është stina që nga njëra anë ofron bukurinë e saj me rënien e dëborës e cila pritet me mjaft dëshirë nga shume njerëz, nga ana tjetër kemi dhe vështirësitë që sjell dimri sidomos në aksesimin e mbërritjes në brendësi të zonave të mbrojtura sidomos në parkun kombëtar Shebenik, në të cilin tani ka reshje dëbore të mjaftueshme.
Kjo stinë është shoqëruar me shumë reshje dëbore sidomos në lartësitë e vargmalit të Shebenikut ku trashësia në disa vende mund të jetë deri në 3 metra dëborë, këtu flasim për lartësinë mbi 1800 metra mbi nivelin e detit.
Rrugët kryesore në destinacione të ndryshme janë të hapura dhe të aksesueshme nga mjetet 4 x4 (fuoristrada). Rënia e dëborës nxit shumë qytetarë nga Librazhdi, Elbasani apo Tirana të ngjiten menjëherë në mal për ta shijuar freskinë dhe bukurinë që sjell petku i dëborës.
-Cilat janë karakteristikat e zonës që ju mbuloni, nga ç’pasuri përbëhet ajo dhe cila është e veçanta e saj?
Zonat e mbrojtura mjedisore janë zona natyrore të tilla që mbartin vlera natyrore që duhen ruajtur dhe kjo është jo vetëm detyra jonë por edhe e të gjithë aktorëve të tjerë lokal dhe qendrore. Qarku Elbasan ka 5 zona të mbrojtura natyrore të emërtuara Rezervate Natyrore të Mbrojtura dhe 2 parqe kombëtare; Parku Kombëtar i ekosistemit natyror “Shebenik “ dhe një sipërfaqe prej 1200 ha të parkut kombëtar “Mali i Tomorrit” i cili ndodhet si edhe 76 monumente dhe gjeomunomente të natyrës siç mund të përmendim Shpella Eremite Kosharishtit, Kanioni Holtës, Liqeni i Zi, Pisha e fushë kuqes në Gjinar etj.
Parku kombëtare i ekosistemit natyrore Shebenik me një sipërfaqe prej 34 mijë hektar është zona më e madhe e mbrojtur në qarkun Elbasan e cila mbart vlera dhe një larmishmëri biologjike dhe biodiversitet të pasur. Speciet, habitatet dhe ekosistemi i tërë i parkut kombëtar është i pafundëm, ku vlen të përmendim që flora përbëhet nga 36% e florës shqiptare me rreth 1850 lloje bimësh, ku ndërmjet tyre 23 bimë janë bimë endemike dhe subendemike, po ashtu fauna është tashmë e vitalizuar dhe e pranishmë kudo me lloje të ndryshme si : Rreqebulli i ballkanit (balkan lynx) ariu i murrmë ( Ursus arctos), Kaprolli (Capreolos capreolos) Ujku (Canis lupus) Derri egër (Sus Scrofa), Baldosa (Meles sp.) Lepuri ( Lepus europea), etj. Specia më e rrezikuar është Rreqebulli i ballkanit i cili është i pakët në numër dhe mjaft i kërcënuar si numër.
Parku kombëtar përveç larmirshmërisë mbart edhe vlera të tjera siç janë ato kulturore, tradicionale dhe historike, në disa fshatra janë disa monumente dhe dëshmi mbi historinë e popullit të kësaj zone.
-Përpara disa kohësh keni lajmëruar që do të instaloni disa kamera në Parkun e Kombëtar Shebenik, a është bërë instalimi i tyre dhe çfarë pritet të monitoroni nëpërmjet tyre?
Po, ne çdo vit vendosim kamera kurth te cilat janë kamera me sensor që vendosen nëpër shtigje ku mendohet se përdoret nga kafshët e egra si rrugë kalimi. Ato fotografojnë dhe filmojnë në momentin që dedektojnë lëvizje të kafshëve në atë shteg. Si rregull ne pas dy javësh, bashkë me kolegët bëjmë kontrollin e rezultateve që ka regjistruar karta e memories të këtyre kartave.
E veçanta e këtij viti është që ne do të vendosim një sasi prej 70 kamerash kurth për të kryer një inventar sa më real të gjendjes të kafshëve në park. Kjo iniciative mbështet nga një projekt Gjerman “Pylli Bavarez” , projekt i cili vitet e fundit është zhvilluar në Parkun kombëtar të Prespës.
-Çfarë ka ndodhur me ariun, pse ai nuk po bie në letargji sipas mendimit tuaj?
Ariu i murrmë (Ursus arctos) është një nga gjitarët e mëdhenj që gjendet kudo në parkun kombëtar Shebenik, pra është në habitatin e tij. Vitet e fundit gjatë monitorimit tonë kemi vërejtur gjurmë në dëborë të ariut dhe ky konstatim na ka habitur në një fare mënyre. Për këtë sjellje unë mendoj dy arsye, e para që ka lidhje me ndryshimet klimatike dhe konkretisht me ngrohjen globale, ku në këtë zonë nuk bën më dimër si 10 vjet më parë dhe e dyta është mungesa e ushqimit. Çka do të thotë mungesë ushqimi? Mungesa e të ushqyerit shëndetshëm të arinjve gjatë periudhës së stinës së verës sjell si rezultat mos akumulimin e dhjamit tek arinjtë të cilët ata e përdorin si burim energjie gjatë gjumit letargjik. Ky është një supozim i imi që duhet vërtetuar, por që për mendimin tim mund të qëndrojë për faktin se në fotot e realizuar nga kamerat kurth është vërejtur se disa arinj janë të dobët fizikisht. Mungesa e ushqimit ka ardhur si pasojë mos mbjelljes të tokave në fshat për arsye shumica e fshatrave janë të boshatisura.
-Është ky një shqetësim apo ariu ka ndryshuar “mënyrë jetese”?
Patjetër, sepse nëse vërtetohet për shkak të mungesës së ushqimit arinjtë do të rrezikohet numri i tyre. Po ashtu edhe ngrohja globale sjell ç’ekuilibrim të natyrës dhe të sjelljes së kafshëve, gjë e cila nuk është normale. Me moratoriumin e gjuetisë por edhe me përkushtimin tonë maksimal është konstatuar shumëfishimi i numrit të kafshëve në park, kjo vërehet edhe nga kamerat kurth por edhe nga rritja e numrit të dëmeve që shkaktojnë kafshët e egra në të mbjellat dhe frutikulturën e fshatrave brenda parkut. Shqetësimet e fermerëve kanë ardhur kryesisht në dëmet e pësuar në tokat e tyre nga derrat e egër, ariu, ujku dhe lepuri. Për mendimin tonë duhet që të ketë një vendim për dëmshpërblimin e fermerëve duke qenë se dëmet janë të konsiderueshme në bujqësi, blegtori dhe pemëtari.
-Z. Fatmir, sa i frekuentuar është Parku Kombëtar i Shebenik-Jabllanicë dhe çfarë ofron ai në këtë periudhë?
Parku Kombëtar Shebenik është një park i ri normalisht duke qenë që është shpallur ne 21.05.2008 dhe është dashur një punë e madhe e jona si administratë për ta promovuar këto 7 vite pune sepse Agjencia Kombëtare e Zonave të mbrojtura është krijuar në vitin 2015, më parë ka qenë pothuajse e pa njohur sepse ishin sipërfaqe nën administrimin e drejtorive pyjore në rrethe. Numri maksimal i turistëve ka qenë ne vitin 2019 (para pandemisë) i cili arriti në 65 000 turistë dhe vizitorë vendas apo të huaj. Në çdo stine parku ka bukurinë e tij, sidomos ne stinën e verës dhe të dimrit është më i frekuentuar.
-Është një terren që mund të preket nga kushdo apo vetëm nga profesionistët?
Në fakt, parku është i zonuar në 3 nën zona të cilat jo të gjitha lejohet te vizitohet, psh. Në zonën Qendrore/Strikte sipas ligjit të zonave të mbrojtura nuk lejohet te hyjnë vizitorë apo turistët, për faktin se ajo shërben si zonë për qëllime shkencore dhe studimore dhe që natyra duhet të lihet të veprojë pa asnjë ndikim njerëzor apo mekanik. Në këtë zone mund të futesh vetëm me autorizim të institucionit tonë sipas një programi dhe të shoqëruar nga ana jonë. Vlen të theksohet brenda zonës qendrore/strikte ndodhet dhe një zonë prej 2200 hektar me pyje të vjetra të ahut e cila është nominuar nga ana jonë dhe në vitin 2017 është listuar në faqen e UNESCO si vlerë e trashëgimisë botërore natyrore.
-Cilët janë bimët e rralla që mund të hasen në këtë park?
Parku Kombëtar “Shebenik” përfshin rreth 33% të florës së Shqipërisë me larmishmëri të llojeve te florës. Rëndësi të veçantë paraqet fakti se në Park gjenden 82% e bimëve mjekësore ose 183 lloje. Bimët e rralla dhe të kërcënuar përmblidhen në 26 lloje si Sanza, Ajshja, Arneni, Rrobulli, Meshtekna,Cistusi, Salepi, Çaji malit, Krokusi Jabllanicës, Rajmonda e Serbisë, Manushqja tre kolor,Festuka serpentinoreve, Zambaku Shqiptar etj.
-Keni venë re ju një shtim të kafshëve apo shpendëve për shkak të moratoriumit të gjuetisë? Cilat janë ato që janë shtuar më tepër?
Pa dyshim Moratoriumi për ndalimin e gjuetisë ka patur efekte shumë pozitive në drejtim të shtimit të kafshëve e shpendëve, kjo është vërejtur nga punonjësit tonë në terren nëpërmjet atakimit drejt për drejt, gjurmëve, feçeve dhe nëpërmjet kamerave kurth që cituam edhe më lart.
-A ka probleme me gjuetinë e paligjshme?
Ka probleme sporadike me gjuetinë e paligjshme, në Zonat e mbrojtura mjedisore, gjuetia është e ndalur në çdo kohë. Pra edhe sikur një ditë të hapen sezonet e gjuetisë, në Zonat e Mbrojtura nuk lejohet asnjëherë gjuetia ashtu sikurse edhe në vendet e tjera të botës. Puna jonë e vazhdueshme ka bërë që të minimizohen e rasteve te gjuetisë se pa ligjshme, por ende jemi larg asaj që dëshirojmë për shumë arsye që lidhen me mungesën e kapaciteteve, logjistikës dhe ndërgjegjësimin e komunitetit dhe aktorëve të tjerë.
-Ka ndonjë specie në zhdukje në parkun tuaj dhe çfarë masash janë marr që kjo të mos ndodhë?
Po për fat te keq janë disa si: Riqebulli Ballkanit (Balcan Lynx, Dhia e eger (Rubicapra rubicapra), Macja e egër (Felis silvestris), Kunadhja (Martes foina) Shqiponja e malit( Aquila chryeastus) etj.
-Cilat janë sfidat tuaja në këtë punë dhe çfarë prisni ma ardhjen e pranverës?
Sfidat janë të mëdha: -Miremenaxhimi i resurseve natyrore,pyje, kullota, sipërfaqe ujore, florës e faunës në tërësi.
-Edukimi i komuniteteve brenda zonave te Mbrojtura Mjedisore, komunitetit në përgjithësi, nxënësve të shkollave, organizatave lokale, vizitoreve etj, me kodin për sjelljen ndaj natyrës, dhe mbajtjen pastër të saj.
-Ndalimi plotësisht i veprimeve të paligjshme ne Zonat e Mbrojtura Mjedisore.
-Informimi i vazhdueshëm për vlerat e mëdha të pa zëvendësueshme të Zonave të Mbrojtura Mjedisore
-Po për ju vetë, cila është lidhja me natyrën dhe sa i dhënë jeni pas saj?
Lidhja ime me natyrën është e pazëvendësueshme, jam i dashuruar përjetësisht me të, madje dua të ndaj me ju dhe lexuesit që unë jam diplomuar në Fakultetin e Shkencave Pyjore në degën Inxhinier Pyjesh dhe nga që jam i lidhur fort me këtë fushë shumicën e kohës ja kushtoj lëvizje nëpër pyje dhe për këtë qëllim edhe vajzës time ja kam vënë emrin Foresta që në italisht apo edhe në anglisht do të thotë Pyll. Uroj që edhe brezi i ri te rritet dhe të edukohet me dashuri ndaj natyrës.
-A do e braktisnit ndonjëherë profesionin tuaj?
Jo asnjëherë, do të jem kudo në çdo vend ku ka mjedis natyrore.