Argjentina “turpëron” Brazilin/ Kampionët e botës dominojnë derbin me shifrat 4-1

schedule12:41 - 26 Mars, 2025

schedule 12:41 - 26 Mars, 2025

Imagjinoni kur kjo ndodh pa Mesin në fushë. Përveç magjistarit të futbollit botëror, Argjentina nuk pati as sulmuesin kryesor, Lautaro Martinez, por kjo nuk e pengoi aspak që të fitonte 4-1 derbin e madh ndaj Brazilit.

Përballja më e ndjeshme e Amerikës Latine, e ndoshta e gjithë botës, konfirmoi kualifikimin matematik të “gauçosve” në finalet e Kampionatit Botëror të vitit të ardhshëm, por edhe krizën braziliane.

Fati i sfidës u vendos në 37 minuta, pasi Hulian Alvarez që në 4’, pastaj Enzo Fernandez në të 12’ dhe për 3-0 realizoi Aleksis Mekallister.

Në mes të golave të tyre, Kunja I dha shpresë “selesaos” me rrjetën për 2-1 në 26’, por Brazili nuk bëri dot asgjë tjetër.

Djali i Diego Pablo Simeones, Zhuliano, vulosi rezultatin 4-1 në 71’, ndërsa epërsia e vendasve në Stadiumin Monumental në Buenos Aires ishte po aq e thellë sa shifrat në tabelë.

Argjentina pati 12 gjuajtje ndaj 3 të rivalit gjigand, nga të cilat 7 në kuadrat, ndërsa Brazili pati vetëm një goditje në portë, atë të golit.

“Historike 4-1 ndaj Brazilit, – titullon “Ole” nga Buenos Airesi, – sambës iu hoq muzika! Një gol me 34 prekje, lojë e bukur dhe një festë e ëndërruar!”

E kundërt atmosfera në Brazil.

E përditshmja “Korreio” shkruan: E turpshme që ta shikoje këtë! Brazili tregoi futboll të varfër, dhe goleada e Argjentinës na zbret në vend të katërt në eliminatoret e Botërorit!”

Me këtë fitore, kampionët e botës kanë 31 pikë dhe do të jenë në Botërorin amerikan në 2026.

Brazili, ndërkaq, është në vendin e katërt me vetëm 21 pikë dhe I duhet të luftojë shumë për t’u kualifikuar.

Habi e vërtetë për një ekip që në formacion ka të tillë si Vinisius, Markinjos apo Rodrigo./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!