Argjentina tregon se mund t’ia dalë edhe pa Lionel Mesin

schedule21:09 - 21 Nëntor, 2018

schedule 21:09 - 21 Nëntor, 2018

Argjentina ia doli sërish pa Lionel Mesin, duke arritur një fitore bindëse ndaj Meksikës. Protagonistë ishin sulmuesit Mauro Ikardi dhe Paulo Dibala.

Nuk duhet të lodhen shumë për të gjetur një numër 9. Kjo ishte këshilla e mediave ndërkombëtare, pas fitores 2-0 të Argjentinës ndaj Meksikës. Numri 9 që është gjetur quhet Mauro Ikardi, sulmuesi tepër i njohur i Interit të Milanos, por i lënë jashtë kombëtares për shumë vite. Lojtari 25-vjeçar dhe partneri i tij në sulm, Paulo Dibala, treguan se argjentinasit mund të bëjnë edhe pa praninë e Lionel Mesit, superyllit të ekipit, dhe lojtarit më të madh të botës, sot për sot.

Meksika u mund për herë të dytë në vetëm 5 ditë, këtë herë në stadiumin e Mendozës, dhe futbollistët ofensivë ishin ata që vendosën ndeshjen përballë një kundërshtari të fortë. Ky ishte goli i parë i Ikardit në 8 ndeshje të luajtura për Argjentinën dhe besohet se fajtor është Mesi që ai është aktivizuar kaq pak, pasi nuk e ka dashur në skuadër. Njëzetepesëvjeçari tjetër, Dibala, ishte po ashtu një nga të përjashtuarit për shumë kohë, ndërsa shënoi edhe ai golin e parë, pas 18 ndeshjesh të luajtura. Argjentina zhgënjeu në Botëror, edhe duke pasur Mesin në përbërje, por shpresohet që trajneri i ri, Skaloni, të dijë të ndërtojë një skuadër fituese. Dy herë kampionët e botës pritet të jenë edhe më të fortë kur Mesi të rikthehet në kombëtare./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!