Argjentinës i duhet patjetër fitorja në ndeshjen e sotme me Kroacinë, për të mos rrezikuar largimin nga Botërori. Kroacia, në të kundër, kualifikohet nëse fiton.
Nuk duan që të përsëritet ky moment. Lionel Messi humbi penalltinë, potencialisht fituese, ndaj Islandës, dhe tifozët argjentinas nuk u ndjenë mirë që nga ai çast, e në vazhdim.
Kombëtarja e tyre zhgënjeu me barazimin 1-1, por gjithsesi, përpara sfidës së radhës kundër Kroacisë, ata janë detyrimisht optimistë. Nizhni Novgorodi është plot me amerikanojugorë, ndërsa skuadra e trajnerit Horge Sampaoli, bëri përgatitjet e fundit për sfidën.
Sampaoli u kritikua ashpër, dhe nuk dihet nëse do të hedhë në fushë Higuainin apo Dibalën, apo të ndryshojë skemën 3-4-3. Ai nuk flet për këto në konferencën për shtyp.
“Nuk kemi kohë për të humbur në Botëror dhe duhet të kërkojmë fitoren që në këtë ndeshje. Nuk mund të mendojmë për barazimin sot dhe të arrijmë kualifikimin në ndeshjen e fundit. Nuk funksionon kështu. E dimë sesa e vështirë do të jetë, pasi Kroacia ka një brez të madh lojtarësh, por nuk kemi rrugë tjetër përveçse të synojmë fitoren”.
Kroacia e ka një lojtar që e njeh shumë mirë Mesin, mesfushorin Ivan Rakitiç.
“Duke pasur në përbërje lojtarin më të mirë të botës, e dimë se do të na i vështirësojnë shumë gjërat, prandaj ka rëndësi që të luajmë të bashkuar. Mesi luajti mirë edhe në ndeshjen e parë, përtej rezultatit, gjuajti 8 herë në portë, dhe mund të kishte shënuar 2 apo 3 gola. Pres një Mesi dhe një Argjentinë shumë më agresive”.
Trajneri i Kroacisë, ndërkaq, jep disa detaje sesi po e përgatit këtë ndeshje, ndoshta me mesfushorin Badelj në vend të Kramariçit.
“E kam thënë se do të kemi disa ndryshime të vogla, edhe në taktikë, edhe në përbërje. Gjithsesi, nuk do të ketë lëvizje të shumta, aq më tepër që ndaj Nigerisë luajtëm një ndeshje mjaft të mirë. Djemtë dhanë maksimumin dhe nuk është koha për ndryshime të mëdha. Edhe ndaj Argjentinës ne duhet të ruajtëm stilin tonë të lojës dhe të tregojmë cilësitë që kemi”.
Edhe tifozët kroatë janë të shumtë në Nizhni Novgorod, si dhe janë euforikë.
Nëse kombëtarja e tyre fiton, ajo kualifikohet./abcnews.al