Erjon Veliaj foli sërish për disa zyrtarë të bashkisë të vënë në pranga apo nën hetim nga SPAK. Kryebashkiaku i Tiranës theksoi qasjen e tyre ndaj institucioneve të drejtësisë dhe atë të vetë bashkisë ndaj ish drejtorëve, për të cilët tha se duhet të sqarojnë sa më parë problemin e tyre me drejtësinë.
“Ish kolegët tanë sapo morën vesh lajmin shkuan vetë në polici ndërkohë që në kohën e tyre dilte kryeministri, kryetari i bashkisë, të gjithë të mbronin gardistët që vranë me plumba në mish. Kolegët që kanë këto sfida me drejtësinë uroj t’i zgjidhin sa më shpejt dhe uroj që pafajësinë ta provojnë në gjykatë. Në një vend që e bën gjyqin përpara se të flasë gjyqtari dhe ta bën fletrrufenë si konën e sigurimit të shtetit përpara se të dihen faktet dhe përpara që secili të ketë mundësinë të shpjegojë para drejtësisë“, tha Veliaj.
Veliaj komentoi protestën para bashkisë, duke u shprehur se qyteti nuk mund të lihet në duart e Argitës dhe Shkëlzenit, fëmijëve të ish kryeministrit që po hetohet nga SPAK për korrupsion.
“Teksa vetë janë të paditur në SPAK, vetë janë me masa sigurie, vetë thërrasin: “Lironi babin”. Ndërkohë kanë kurajo për një gjë, se hetimi nuk ka përfunduar ende, ne duhet ta shohim në gjykatë nëse do të provohet ose pretendimi i prokurorisë, ose pafajësia e ish-kolegëve tanë. Por ta dëgjosh këtë nga goja e Argitës dhe Shkëlzenit, që vranë njerëz, dhe të thuash “të lëmë bashkinë që të vijnë ta hedhin në erë si Gërdecin”, kjo është ku thërret qameti.”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku i kujtoi dhe Ilir Metës se bashkia e Tiranës nuk është si partia e tij.
“Parti private familjare, imagjino t’i lësh Ilir Metës Qytetin në duar. Me gjendjen e rënduar mendore që është tani, imagjino çfarë i bën Tiranës ai. Ai dy paralele të Bashkisë preku te Lapidari dhe i shkatërroi. Imagjino t’i lësh Ilir Metës dhe Monikës qytetin. Që ta bëjnë rrush e kumbulla. ”, tha Veliaj.
Veliaj tha se punët e suksesshme të partisë kanë çuar dhe do çojnë Tiranën përpara. Ai garantoi qytetarët për fitoren e radhës së socialistëve. Veliaj garantoi se shumë shpejt bashkia do të marrë masa konkrete për të rritur kontrollet në strukturat dhe garantuar trasparencën në punën e saj./abcnews.al