Arena Kombëtare si “pëlhura e Penelopës”

schedule13:48 - 22 Gusht, 2019

schedule 13:48 - 22 Gusht, 2019

Arena Kombëtare është vonuar më shumë se 1 vit që nga afati i premtuar për të qenë gati. Problemet në punime dhe konfliktet e Federatës me qeverinë e kanë shtyrë përurimin për në nëntor.

Ishte shkurti i 2016-ës kur u diskutua zyrtarisht për të.

Stadiumi i ri kombëtar, i njohur si Arena Kombëtare, ishte kryefjala e kryeministrit Rama në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit.

Kaluan pak kohë, dhe në 29 prill të po atij viti, u prezantua projekti i ri, në prani të kryeministrit dhe të presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Afati I përfundimit të tij u la në qershor 2018, pas 24 muajsh kalendarikë punimesh, ndërsa kostoja prej 50 milionë eurosh u parashikua se do të rritej.

Në 22 maj, në “Qemal Stafën” e vjetër u luajt ndeshja e fundit historike, finalja e Kupës së Shqipërisë mes Kukësit e Laçit, trofe I fituar nga kuksianët.

Kjo ishte lamtumira me objektin sportiv më të shquar në vend, të projektuar dhe ndërtuar nga italianët, tashmë me moshë gati 70-vjeçare dhe të rrënuar ndjeshëm.

Bashkë me të, u zhduk edhe pista e atletikës me tartan dhe shumë salla e palestra të sporteve të tjerë.

Puna për prishjen e “Qemal Stafës” nisi në qershor 2016, ndërsa stadiumi I ri ishte projektuar po ashtu nga një studio italiane e Firences, drejtuar nga arkitekti Marko Kazamonte.

Gjithsesi, afatet e përfundimit do të shkeleshin disa herë.

Fillimisht, vonesat erdhën nga problemet e dala gjatë punimeve, lidhur me strukturat e themeleve apo çështje të tjera.

Më pas, erdhi konflikti mes Federatës dhe Qeverisë për tatimin mbi vlerën e shtuar, TVSH, që e para kërkonte t’i rimbursohej.

Pas shumë përplasjeve dhe ankesave të Federatës, çështja shkoi në gjyq.

Afati i dorëzimit të objektiv u shty në fund të 2018-ës, por as ky afat nuk u arrit.

As viti 2019 nuk hyri me këmbë të mbarë.

Muaji mars, caku i parë i premtuar, nuk qe e mundur të respektohej.

Gjithçka u zhvendos në qershor, në prag të zgjedhjeve vendore, dhe nga kryeministri Rama u kërkua me trysni të madhe që të jepej përshtypja se stadiumi do të ishte gati.

Federata u detyrua të dilte me një deklaratë në mbështetje të tij, por as kjo nuk piu ujë.

Që nga Moldavia, inaugurimi u shty për në 10 shtator, në ndeshjen eleminatore kundër Islandës.

As kjo shënjestër nuk u arrit të goditej.

Tashmë, premtimi i fortë është se festa do të jetë në një ditë vërtet të shënuar, mbrëmjen e 17 nëntorit, kur kombëtarja shqiptare do të presë Francën për Euro 2020. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!