Ardian Kozniku mund të jetë trajneri i ri i Kukësit

schedule14:52 - 25 Dhjetor, 2017

schedule 14:52 - 25 Dhjetor, 2017

Kukësi po kërkon drejtuesin e ri të skuadrës dhe duket se ai do të vijë nga jashtë vendit. Presidenti Gjici është në bisedime me një emër të njohur në Shqipëri.

Një trajner nga Kroacia, edhe pse shqiptar.

I tillë pritet të jetë fati i stolit të Kukësit dhe emri që përflitet është ai i Ardian Koznikut.

Burime në klub bëjnë me dijë se shqiptaro-kroati është në bisedime me presidentin Gjici, dhe se ai duket si kandidati më i mundshëm për të zëvendësuar ish-trajnerin Mladen Milinkoviç.

Gjithçka pritet të përfundojë deri këtë të mërkurë, sepse skuadra duhet të nisen për fazë përgatitore dhe të ketë stabilitet.

Përsa I përket trajnerëve shqiptarë, emra ka disa përfshi Dritan Mehmetin e Julian Ahmatajn, ndërsa te Kukësi nuk kanë shpresë për një rikthim të Armando Cungut.

Pavarësisht krizës, Gjici kërkon nga trajneri i ri që të luftojë për titullin kampion dhe të sjellë me vete edhe lojtarë të rëndësishëm për t’ia arritur qëllimit.

Ai nuk ka besim se këtë mund ta bëjnë trajnerët shqiptar, të paktën sipas burimeve të mësipërme.

Kampionët nuk po gjejnë stabilitet që pas largimit të Ernest Gjokës, teknikut me të cilin u shpallën kampion, si dhe fitoi Superkupën e Shqipërisë.

Më herët, presidenti Gjici ka provuar mjaft drejtues të ekipit, si Starovën, Likën, Radanoviçin, Shaqirin apo Klodian Duron, me të cilin fitoi edhe Kupën e Shqipërisë, ndërsa periudhën më të suksesshme e pati me Cungun në stol dhe Sulejman Starovën si drejtor teknik, kur u kaluan 4 ture në kupat e Europës.

Përsa I përket fazës përgatitore, Kukësi do ta zhvillojë në Turqi duke nisur në 4 janar, ndërsa janë përcaktuar dy miqësore ndaj ekipeve turke si Kaizerispor apo Bursaspor./abcnews.al