Ardi Veliu pyetet për 1 orë në Prokurori, mohon akuzat e Alizotit

schedule14:45 - 16 Tetor, 2018

schedule 14:45 - 16 Tetor, 2018

Drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Ardi Veliu është marrë në pyetje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për rreth 60 minuta, lidhur me hetimet për dosjen e Babales. Burime të besueshme konfirmuan për “ABC News” se Veliu ka mohuar pretendimet e Fredi Alizotit ndaj tij.

Ardi Veliu, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ishte personi i radhës që u mor në pyetje nga prokurorët e Krimeve të Rënda që po hetojnë çështjen “Babalja”. Pyetja e tij u kërkua pas deklaratave të Fredi Alizotit, personit të dyshuar si aktruesin e zërit të Agron Xhafës, se pas pranimit të këtij fakti ishte shoqëruar tek Krimet e Rënda me makinë nga kreu i Policisë së Shtetit. Ardi Veliu mbërriti në institucion në 13:00, ekzaktësisht në orarin e paracaktuar ku qëndroi për gati 1 orë duke dhënë shpjegime para prokurorit, Përparim Kulluri.

Burime të besueshme konfirmuan për “ABC News” se Veliu ka mohuar pretendimet e Alizotit. Sipas burimeve, Veliu ka pohuar se ditën kur është bërë shoqërimi i Alizotit në Prokurorinë e Krimeve ai ka qenë i angazhuar me çështje të tjera të punës së tij. Numri një i policisë u largua me automjetin e tij, duke mos dhënë asnjë prononcim për median. Deklarimet e Veliut janë në sinkron me deklaratë zyrtare të bërë nga Policia e Shtetit një ditë pas publikimit të video-përgjimit të Alizotit në programin “Opinion” në “TVKlan”. Në atë deklaratë u pohua se Policia e Shtetit nuk ka bërë asnjë veprim procedurial me iniciativën e saj dhe për çdo rast ka vepruar bazuar në urdhra të prokurorisë apo gjykatës. Në lidhje me shoqërimin e Alizotit, Policia tha se ky veprim është reakuzuar nga ana e Drejtorisë së Policisë Vendore Fier.

Për llogari të hetimit, prokurorët e Krimeve pritet të marrin në pyetje edhe drejtuesin e Policisë Fier, i pari që ka kontaktuar Fredi Alizotin, pasi ai i tha sallës operative të këtij qarku se audio-përgjimi i Babales ishte fakt. Ndërsa mëngjesin e së hënës, në Prokurinë për Krimet e Rënda pritet të paraqitet ish-dejtuesi i Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha, i cili pretendohet nga Alizoti të jetë personi që ka realizuar videopërgjimi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!