Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ka kërkuar përshpejtim të procedurave për të përballuar fluksin e lëvizjes në Portin e Durrësit, por pa shmangur kontrollet për qytetarët që largohen për azil. Sipas shifrave, vetëm në muajin Korrik kanë hyrë nga Porti i Durrësit në Shqipëri mbi 110 mijë shtetas shqiptarë dhe të huaj.
Çfarë ndodh në Portin e Durrësit ishte qëllimi i inspektimit nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu. Përballë fluksit të madh të këtyre ditëve, Veliu kërkoi nga drejtuesit e kufirit të aplikohet me procedurat e përshpejtuara, por pa lënë mënjanë kontrollin e personave apo mjeteve të dyshimta.
Kryepolici kërkoi kontroll të rreptë dokumentacionit të qytetarëve dhe të plotësimit të kushteve për të lëvizur në hapësirën Shengen. Po numri i atyre që largohen për azil mbetet i madh.
Në takim u fol për një bashkëpunim më të ngushtë me policinë italiane kryesisht në Bari, për të evidentuar dhe ndëshkuar të gjithë ata persona që shesin polica sigurimi false, nisur kjo edhe nga denoncimet e shtuara të qytetarëve.
Në Portin e Durrësit vetëm gjatë muajit Korrik kanë hyrë mbi 110 mijë shqiptarë dhe të huaj, me rreth 25 mijë mjete dhe kanë dalë rreth 32 mijë persona me rreth 9 mijë mjete./ABC News Albania 24/7