Ardi Veliu jep dorëheqjen nga drejtimi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore

schedule10:18 - 23 Tetor, 2023

schedule 10:18 - 23 Tetor, 2023

Ardi Veliu ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP).

Gazetari i ABC News, Ervin Leka raporton se është zhvilluar një mbledhje në AMP, ku Veliu ka njoftuar tërheqjen e tij nga detyra e drejtuesit.

Dorëheqjen, Veliu ia ka paraqitur ministrit të Brendshëm, Taulant Balla mëngjesin e kësaj të hëne.

Nuk dihen ende arsyet e dorëheqjes, por burime për ABC News, thonë se arsyet janë personale.

Veliu u emërua në këtë post në shtator të vitit 2022, duke zëvendësuar Muhamet Rrumbullakun.

Më parë, Veliu ka mbajtur postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Reagimi i ministrisë së Brendshme:

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Ardi Veliu ka paraqitur sot dorëheqjen nga detyra, tek Ministri i Brendshëm.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla e falënderoi z. Veliu për punën e bërë deri tani në krye të AMP-së, rezultatet e arritura në kuadër të procesit të vetë-pastrimit të strukturave të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nga 1 janar deri sot, ka referuar pranë SPAK dhe Prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm 207 raste për 295 subjekte, ndër ta 253 oficerë policie si dhe 42 shtetas.

Në këtë periudhë janë arrestuar 23 oficerë në flagrancë. Me masë sigurie janë 72 raste, ndër ta, 61 oficerë policie dhe 11 shtetas. Në masën “Arrest në burg” janë 24 raste, ndër ta, 18 oficerë policie dhe 6 qytetarë. Me masën “Arrest në shtëpi” janë 6 oficerë policie dhe 1 qytetar, me masën “Pezullim i ushtrimit të detyrës në shërbim publik” janë 34 oficerë policie.

Gjithashtu janë dhënë 24 masa disiplinore administrative, pas hetimeve disiplinore të AMP-së, ndër ta, 4 oficerë me masë disiplinore “Përjashtim nga policia”; 3 oficerë “Shtyrje e afatit të gradimit” për dy vjet; për 5 oficerë policie “Shtyrje e afatit të gradimit” për një vit, si dhe për 9 oficerë “Shtyrje e afatit të gradimit” për nëntë muaj.

AMP i ka dhënë rekomandim Agjencisë Kombëtare të Informacionit të Klasifikuar për heqjen e Certifikatës së Sigurisë për 19 subjekte.

Zoti Veliu ishte emëruar në krye të AMP në shtator 2022, detyrë që e mbajti deri ditën e sotme.

Drejtimin e Agjencisë, deri në fund në zgjedhjen e drejtuesit të ri, do ta mbajë Dritan Dorda, Zv.drejtor i Përgjithshëm i AMP-së.

Ju bëjmë me dije se Ardi Veliu do të vijojë të japë kontributin e tij, në një tjetër detyrë shtetërore.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!