Arbitrat bojkotojnë ndeshjet e futbollit

schedule20:42 - 6 Mars, 2019

schedule 20:42 - 6 Mars, 2019

Shoqata e arbitrave me president Tahir Kastratin kanë vendosur bojkotimin e kampionatin në një afat të pacaktuar nën pretendimin se ndihen të pasigurtë për jetën. Në komunikatë thuhet se arbitrat do të rikthehen sërish vetëm në rast se mbarëvajtja e ndeshjeve do të sigurohet nga Policia e Shtetit. Vendimi cilësohet ekstrem dhe u mor pas incidenteve të ndodhura në ndeshjen mes Kamzës dhe Laçit ku u dhunua gjyqtari Eldorian Hamiti.

Ndërpritet futbolli shqiptar. Shoqata e arbitrave ka vendosur të bojkotojë kampionatin deri në një afat të pacaktuar. Një vendim i tillë i konsideruar ekstrem vjen pas incidenteve në ndeshjen mes Kamzës dhe Laçit, ku u dhunua gjyqtari i takimit Eldorian Hamiti. Në komunikatë thuhet se arbitrat ndihen të cënuar dhe do të përfundojnë bojkotin vetëm në rast se policia rikthehet në stadium për të siguruar rendin dhe sigurinë pasi e cilësojnë policinë private si një dështim të konsumuar. Ndër të tjera shoqata e arbitrave kërkon mirëkuptimin e klubeve shqiptare.

“Shoqata “Bashkimi i Arbitrave të Futbollit Shqiptar” e tronditur pas ngjarjes së dhunës ekstreme ushtruar ndaj gjyqtarit Eldorjan Hamiti në Kamëz, ka marrë sot vendimin e saj për të bojkotuar ndeshjet e futbollit në nivel kombëtar. Duke parë që nga java e parë e kampionatit dhe deri në të fundit ne ndjehemi të pasigurtë, sot ne vendosëm të themi: Mjaft! Mjaft më me kërcënime, fyerje e sharje. Mjaft dhe kjo është shumë më serioze dhe e rrezikshme me dhunë e ç’është më e rëndësishmja, mjaft më me pasiguri për jetën. Njëzëri arbitrat mendojnë se eksperimenti i deritanishëm për largimin e Policisë së Shtetit nga stadiumet e futbollit ka dështuar. Zëvendësimi i tyre me polici private është një dështim tjetër tashmë i konsumuar. I kërkojmë klubeve anëtare në FSHF të na mirëkuptojnë dhe të na mbështesin në vendimin që ne kemi marrë, kjo sepse vendimi që ne kemi marrë është e vetmja rrugë që gara të jetë sa më e vërtetë dhe korrekte. Ne kemi vendosur të mos luajmë me jetën tonë. Kështu nuk do të kthehemi për të gjykuar, deri sa të ndjehemi të sigurtë dhe Policia e Shtetit të kthehet në stadiume dhe autorët e dhunës të ndëshkohen. Shoqata Bashkimi i Arbitrave të Futbollit Shqiptar”, thuhej në komunikatë.

Të gjitha takimet e programuara për t’u luajtur në fundjave mund të cilësohen të anuluara si dhe ndeshjet e Kupës së Shqipërisë në mesjavën e arshshme. Tashmë pritet ndryshimi i ligjit në parlament që arbitrat të kthehen sërish në skenë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!