Arbër Çyrbja është zyrtarisht një futbollist i Teutës. Skuadra durrsake e konfirmoi lajmin në rrjetin social Facebook.
Skuadra e Teutës vijon përforcimet në merkaton e transferimeve. Klubi durrsak ka njoftuar se ka nënshkruar për dy sezone me Arbër Çyrbjan. Zyrtarizimi i futbollistit u konfirmua nga skuadra nëpërmjet një njoftimi në Facebook.
“Arbër Cyrbja nënshkruan kontratë për dy vite me Klubin tonë. Tashmë ka ardhur edhe zyrtarizimi: Arbër Çyrbja kthehet tek Teuta, pas një viti në “Shtegëtim”, ai kthehet të veshë fanelën ku hodhi hapat e para të karrierës. Tani mesfushori i talentuar kthehet në shtëpi, duke firmosur deri në verën e vitit 2021”.
Për futbollistin është një rikthim tek Teuta pas një sezoni të kaluar tek skuadra e Kukësit. Futbollisti në fjalë ishte një nga pikat më të forta të skuadrës durrsake i cili tashmë ka mundësinë ta përfaqësojë denjësisht fanellën e skaudrës ku hodhi hapat e para si futbollist profesionist.
Teuta ka nënshkruar me disa futbollistë pas dështimit në kupat e Europës. Trajneri Bledi Shkëmbi synon të ketë në dispozicion lojtarë cilësorë që mund të përballojnë një sezon të gjatë dhe të lodhshëm. /ABC News Albania 24/7