Arben Skënderi: “Bindja Demokratike” porta ku hyjnë mendjet e ndritura

schedule21:22 - 26 Prill, 2019

schedule 21:22 - 26 Prill, 2019

Arben Skënderi, artist, violinist, me statusin e një njeriu politik tashmë, ka qenë i ftuari i gazetarit Mustafa Nanos në “Provokacija” natën e sotme. Artisti është përfshirë në partinë më të re në skenën shqiptare “Bindja Demokratike”.

Në bisedën e tij ai ka ndarë perceptimet personale për realitetin politik shqiptar. Gjithashtu ai ka theksuar se partia e re “Bindja Demokratike” ka një qasje tërësisht ndryshe nga ajo që është mësuar realiteti shqiptar. Sipas tij Bindja Demokratike është porta ku hyjnë mendjet e ndritura shqiptare.

Arben Skënderi: “Është vrarë meritokracia dhe kulti i njeriut të arrirë. Shkatërrimi i modelit në afatgjatë është shumë i rrezikshëm për vendin, se sa vetë korrupsioni galopant që po e mbyt vendin sot. Vrasja e modelit ka shkuar deri në qelizën bazë që është familja. Babai që siguron bukën e familjes nuk është më model për djalin. Për djalin është model ai trafikanti me fuoristrada”

Mustafa Nano: Të gjithë e shohim këtë gje, këtu nuk ka meritokraci. Të gjithë të rinjtë, një leksion marrin nga jeta politike shqiptare, pra për të arritur majën e karrierës, nuk ka nevojë të dish apo të lexosh, por mjafton të ketë një mik të fortë në pushtet dhe mjafton. Kjo është një nga gjërat më të dëmshme. Dukeni sikur e keni zbuluar një gjë të tillë kohët e fundit?

Arben Skënderi: Po me një njeri të bindur nuk flet dot, me një njeri që është i dyzuar atëherë fillon shtresa e parë e një mundësie diskutimi. Kam mësuar se kur i futesh një pune, duhet ta provosh që ta kuptosh. Unë kuptova mangësitë dhe thellësisht problematikat e sistemit, dhe cilat janë rrugët ku duhet të kontribuojmë, që janë shumë të vështira në kohën që jemi, por duhet ta provosh. Po federohen vetëm batakçinjtë që i kemi në krye të shtetit, në krye të çdo lloj strukture ,që menaxhon shtetin. Ka shumë njerëz të ndershëm që janë të izoluar. Kemi hyrë në një fazë ku manipulimi publik është kthyer në art nga kjo kategori e njerëzve që drejtojnë shtetin, kanë kapur gjithë shtetin. sistemi është i bllokuar, për dy dekada do ketë probleme me vrasjen e modelit, do ketë probleme dhe në aspektin ekonomik. kemi 2.2 miliard euro të firmosura, barrë për shqiptarët për 20 vitet që do vijnë.

Mustafa Nano: Për tu kthyer pak te “Bindja Demokratike”, partia më e re në skenën shqiptare, ka provokuar goxha interes, më shumë se sa unë e prisja, ka ngacmuar shumë njerëz. Duket si një parti që po prish njëlloj skeme, ju keni një lexim tuajin për këtë lloj reagimi?

Arben Skënderi: Edhe vetë personalisht e kisha të vetmen pikëpyetje, pra çfarë do prodhonte në impakt të parë, një lajm i tillë dhe kisha pikëpyetje. Nuk na pushon askujt telefoni të gjithëve, duke më bërë pyetje praktike dhe të gjitha pyetjet rrotullohen rreth një gjëje, tek besimi. Dmth besoni vërtetë që do ja dilni? Unë nuk e di çfarë do të thotë në këtë vend të “besosh me ja dal”. Mendjet e njerëzve janë reduktuar tek mendimi je kryeministër s’je kryeministër. Kurse unë po them diçka tjetër, unë besoj në një gjë: te një hapësirë për të federuar, për të mbledhur të gjithë këta njerëz që mendojnë në këtë formë ose që duan që të vij një qasje e tillë në këtë vend, Bindja Demokratike është e hapur për këtë pjesë dhe gjithë njerëzit që na afrohen është mbi këtë bazë.

Mustafa Nano: Kur ju thatë për modele, kjo është si të thuash që e gjithë shoqëria është e korruptuar. Do doja një parti që mos të synonte pushtetin por të thithte pjesën më të fisme dhe më të pa-ndotur që ka mbetur, sepse pjesa e fisme që do vetëm rregulla loje, vetëm paqe, nuk ushtron presion dhe janë pjesa më e mirë, baza më e mirë mbi të cilën mund të ngrihet një parti..

Arben Skënderi: Këtë kisha ndërmend për sa fola, them të gjithë që kanë këtë mendësi. Unë e kam provuar te jem në instanca shumë të larta por pse më thirrën? Kjo ka qenë pikënisja dhe në të gjitha bisedat të cilat kanë 2 vjet që diskutohen.

Mustafa Nano: Ju keni kohë që takoheni me njëri tjetrin?

Arben Skënderi: Sigurisht, kjo është diçka e ngjizur prej kohësh por tani u poq, u krijua grupimi politik i cili ballafaqohet me votuesit. Ngjallja e shpresës vjen nga njerëzit, prandaj fola për modelet. Qasja në këtë grupim politik ka qenë që në fillim në këtë formë dhe kjo për mua është pika kryesore mbi të cilën mbështetem momentalisht, për të thënë : PO nëse kjo qasje është e tillë dhe njerëzve u stimulohet mendja e tyre.

Mustafa Nano: Duket sikur koha po punon për ju sepse ka shumë pakënaqësi, bile edhe pjesa e korruptuar është e pakënaqur, pra duket sikur është momenti juaj..

Arben Skënderi: Unë uroj që “Bindja Demokratike” të jetë mbi këtë format që folëm, me këto qasje në raport me problematikat. Ne do punojmë fort që këtij sistemi ti hyjmë me themel dhe jo me marifete politike si sot. Shpresoj që të ketë dhe të tjerë, pasi sot është vrarë gara, sot nuk ka më garë për një vend pune, as për hierarki as për revolucion në administratë. Gara është vrarë gjithandej.

Mustafa Nano: Ne kemi garë tani në 30 qershor, a ka rëndësi për “Bindjen Demokratike” që të jetë pjesë e kësaj gare?

Arben Skënderi: Ne kemi marrë vendimin pas shumë diskutimesh që të hyjmë në këtë garë. Vota është institucion shumë i rëndësishëm. Unë dua ta ndëshkoj Edi Ramën me votë. Kam qenë i deleguar për votimet në Dibër dhe e kam parë, e kam jetuar shitblerjen e votës. “Bindja Demokratike” ka dalë me një bord të përkohshëm, që po drejton gjërat deri në momentin kur do zgjidhen strukturat, dhe Astrit Patozi është koordinatori i këtij bordi, nuk është makijazh i momentit por vullneti i parë i shprehur nga të gjithë në momentin që ne vendosëm të zyrtarizojmë partinë.

Mustafa Nano: Ka një lloj hezitimi publik për të besuar risitë e tilla, pasi perceptohet si momenti i parë, si mendoni?

Arben Skënderi: Në ditët e para kishte njerëz që nuk i besonin, ka që janë edhe skeptik, por skepticizmi i tyre na mundëson që ne të komunikojmë me ta dhe kjo bisedë me ju, është një komunikim me ta, sepse vetëm nëpërmjet komunikimit dalin rezultatet. Njerëzit që po i afrohen “Bindjes Demokratike” janë njerëz të pa bërë pis, njerëzit e tillë e kanë derën e hapur te “Bindja Demokratike”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!