Arabia Saudite së fundi duket se po shqyrton një ofertë nga një kompani kineze për të ndërtuar një termocentral bërthamor në mbretëri, e cila sipas mediave të huaja pritet që të prishë planet amerikane.
Korporata Kombëtare Bërthamore e Kinës (CNNC) në pronësi shtetërore ka paraqitur një ofertë për të ndërtuar centralin në Provincën Lindore të Arabisë Saudite, pranë kufijve me Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sipas mediave Riadi ka kërkuar më parë të punojë me SHBA-në për të nisur një program bërthamor , një plan që mund të jetë pjesë e normalizimit të marrëdhënieve të mbretërisë me Izraelin .
Zyrtarët amerikanë kanë thënë në të kaluarën se do të pranonin të transferonin teknologjinë në Arabinë Saudite vetëm nëse do të kishte klauzola që parandalonin pasurimin e uraniumit dhe përpunimin e plutoniumit të prodhuar në reaktorë.
Këto janë dy rrugë të mundshme për ndërtimin e armëve bërthamore. Zyrtarët sauditë kanë pranuar se bisedimet me Kinën janë pjesërisht një mënyrë për të shtyrë administratën e Joe Biden të bëjë kompromis me kërkesat e tyre të rrepta të mospërhapjes.
Ndër të tjera thuhet se Riadi do të preferonte që ndërtimin e reaktorëve të termocentralit t’ia transferonte kompanisë shtetërore të energjisë bërthamore të Koresë së Jugut, Korea Electric Poëer , dhe të bazohej në ekspertizën operacionale të SHBA-së , por pa iu nënshtruar kontrolleve të mospërhapjes.
Ndërkohë nga ana tjetër ministria e Jashtme e Kinës ka thënë se vendi mund të bashkëpunojë në fushën e energjisë bërthamore për qëllime politike me Arabinë Saudite duke respektuar rregullat ndërkombëtare.
Marrëdhëniet midis Arabisë Saudite dhe Kinës janë bërë më të ngushta vitin e fundit. Në mars, Pekini ndërmjetësoi një marrëveshje me Iranin për të rivendosur marrëdhëniet diplomatike midis dy fuqive rajonale./abcnews.al