Aplikimi i Kosovës në KiE, mediat në Madrid: Cili është qëndrimi i Spanjës

schedule14:44 - 15 Maj, 2022

schedule 14:44 - 15 Maj, 2022

Spanja për momentin nuk ka sqaruar nëse do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kështu shkruan sot agjencia spanjolle e lajmeve, Europa Press.

Qeveria spanjolle ka zgjedhur të mos thotë ende asgjë nëse do të mbështesë aplikimin e Kosovës – të cilën nuk e njeh si të pavarur – për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës, përcjell Gazeta Express.

Burimet diplomatike të konsultuara nga Europa Press janë kufizuar në konfirmimin se aplikacioni i Kosovës për anëtarësim, i dorëzuar më 12 maj, është regjistruar dhe se tani duhet t’i ndjekë procedurat përkatëse.

“Vendimi nuk është i pashmangshëm”, nënvizojnë burimet, për faktin se për momentin preferojnë të shprehin respektin e qeverisë spanjolle për procedurën dhe të mos sqarojnë se në cilin drejtim do të votohet kur të vijë koha. “Spanja do të prononcohet kur të hidhet në votim, pas opinioneve dhe debateve të obligueshme”, theksojnë ata.

Çelësi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës është në votat e nevojshme që Komiteti i Ministrave ta japë miratimin e tij. Këshilli i Europës aktualisht përbëhet nga 46 vende, pas përjashtimit të Rusisë së fundmi dhe nevojitet një shumicë prej dy të tretave të votave (31).

Përveç Spanjës, janë edhe katër vende të tjera të Bashkimit Europian që për arsye të ndryshme nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës: Qiproja, Greqia, Sllovakia dhe Rumania. Këto vende janë gjithashtu anëtare të Këshillit të Europës, ndaj, sipas Europa Press, janë në të njëjtin pozicion si qeveria spanjolle për sa i përket votimit.

Media spanjolle përmend edhe Serbinë, që gjithashtu s’e njeh pavarësinë e Kosovës dhe është anëtare e Këshillit të Europës. Shtete tjera të Këshillit të Europës që s’e njohin pavarësinë e Kosovës janë edhe Armenia, Azerbajxhani, Bosnja, Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukrainas.

Megjithatë, Kosova që nga pavarësia e saj ka arritur të bëhet pjesë e disa organizatave ndërkombëtare dhe për anëtarësim në Këshillin e Europës duket se i ka të gjitha votat e nevojshme. /abcnews.al/